Shuma që përfitojnë deputetët shqiptarë nga buxheti i shtetit ka arritur në nivele të konsiderueshme gjatë vitit të kaluar. Sipas të dhënave zyrtare nga Kuvendi i Shqipërisë, 140 ligjvënës kanë përfituar në total mbi 7 milionë euro.
Vetëm për paga, janë shpenzuar më shumë se 453 milionë lekë, që përkthehen në rreth 4.6 milionë euro. Muajt e fundit të vitit – shtatori, tetori, nëntori dhe dhjetori – rezultojnë me nivelin më të lartë të shpenzimeve për rrogat e deputetëve.
Ndërkohë, një pjesë e konsiderueshme e fondeve është përdorur për përfitime shtesë. Për udhëtime brenda dhe jashtë vendit, pjesëmarrje në komisione parlamentare, si dhe rimbursime për telefon dhe akomodim, janë shpenzuar mbi 241 milionë lekë, ose rreth 2.5 milionë euro. Edhe në këtë kategori, shpenzimet më të larta janë regjistruar në fund të vitit.
Në total, pagat zënë rreth 54% të shumës së përgjithshme të përfituar nga deputetët, ndërsa pjesa tjetër përbëhet nga shpërblime dhe rimbursime të ndryshme. Brenda këtyre, udhëtimet përbëjnë peshën kryesore me 24%, të ndjekura nga pagesat për komisione, shpenzimet telefonike dhe kostot e qirasë apo hoteleve.
Të dhënat tregojnë gjithashtu se shpenzimet janë rritur ndjeshëm që nga gjysma e dytë e vitit 2023. Kjo lidhet edhe me miratimin e një projektligji nga deputetët e të dy krahëve politikë, i cili parashikon rritje pagash për zyrtarët e lartë, përfshirë presidentin, kryeministrin, ministrat dhe vetë deputetët.







