E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Letër e hapur për  Elton Qynon dhe Artan Hoxhën
Lajme

Letër e hapur për Elton Qynon dhe Artan Hoxhën

Dita e djeshme ishte një moment i rëndë jo vetëm për ju personalisht, por edhe për të gjithë komunitetin e gazetarëve dhe për shoqërinë shqiptare në tërësi. Lajmi se ju të dy jeni vënë nën hetim nga SPAK, me akuza të rënda që shkojnë nga anëtarësimi në një organizatë kriminale deri te korrupsioni, tronditi thellë jo vetëm ata që ju njohin dhe e vlerësojnë punën tuaj, por edhe të gjithë qytetarët që për vite me radhë kanë ndjekur e besuar tek angazhimi juaj profesional.

Ky është një lajm i keq për median shqiptare, një institucion që, pavarësisht sfidave, presioneve dhe përpjekjeve për ta keqpërdorur nga qeveria dhe grupe të fuqishme interesi, ka mbetur shpeshherë një nga shtyllat më të besueshme për publikun. Për shumë vite, puna juaj në kronikën e zezë ka shërbyer si një dritare për të zbardhur të vërteta të dhimbshme dhe për të mbajtur të gjallë idealin e një gazetarie të guximshme.

Sot, në këtë situatë të paprecedentë, vendosen në pikëpyetje jo vetëm emrat tuaj, por edhe integriteti i profesionit që përfaqësoni.  Media  edhe pse me shumë halle e probleme ishte institucioni i vetëm që qytetarët ende kanë besim të verbër për transparencën.
Nëse akuzat ndaj jush rezultojnë të pabaza apo të fryra nga ndonjë lapsus apo keqkuptim, atëherë kemi të bëjmë me një goditje të rëndë ndaj lirisë së medias dhe misionit të saj për të kërkuar të vërtetën.

Nga ana tjetër, nëse akuzat janë të mbështetura në prova të pakundërshtueshme, atëherë rrezikojmë të humbasim atë pak besim që qytetarët ende kanë tek media.

Rasti i fundit i kërcënimit të gazetarit Saimir Kodra tregoi qartë një realitet të frikshëm, ku drejtësia shpesh shfaqet në aleancë me bandat për të goditur gazetarët.

Kjo duhet të na bëjë të gjithë të reflektojmë mbi atë që po ndodh me misionin tonë themelor: transparencën, llogaridhënien dhe mbrojtjen e demokracisë në një vend ku “maliqët” i përdorin ligjet sipas interesave të tyre.

Ky moment është një provë jo vetëm për ju, por edhe për sistemin e drejtësisë dhe për vetë shtetin shqiptar. Në një vend ku liria e medias është shpesh në shënjestër dhe ku gazetaria investigative mbetet shpesh linja e fundit e mbrojtjes së të vërtetës, një trajtim i padrejtë  dhe me tendencë nga SPAK-u, i këtij rasti do të ishte një goditje e pamerituar për të gjithë.

Ne kërkojmë që drejtësia të veprojë me transparencë të plotë dhe që çdo hap të trajtohet në mënyrë të hapur, duke respektuar ndjeshmërinë e kësaj situate për publikun. Çdo vendim i marrë në këtë rast do të ketë pasoja të thella për mënyrën se si qytetarët e perceptojnë median dhe sistemin e drejtësisë.

Deri atëherë, ne qëndrojmë në solidaritet  të plotë me JU dhe me të gjithë ata që besojnë se gazetaria është një mision fisnik, pavarësisht rreziqeve dhe sfidave të mëdha që sjell në një vend me demokraci  të cunguar si Shqipëria.

Naim Noka

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.