E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Letër për Ursula von der Leyen dhe Kosin e Ramës
OP-ED

Letër për Ursula von der Leyen dhe Kosin e Ramës

Shkruan av Dorian Matlija

I nderuar Komisioni Evropian,

Si qytetar dhe profesionist ligji në këtë vend, pasi lexova deklaratën tuaj të sotme, kam një pyetje fare të thjeshtë: A na tregoni dot një rrugë të vetme institucionale, ligjore dhe demokratike që i ka mbetur qytetarit shqiptar për t’u përballur me arbitraritetin e pushtetit? A ekziston të paktën një rrugë e vetme? Nëse ka, ju premtoj që do advokoj fort që ta ndjekim me zellin më të madh.

Por me një kusht të prerë ama! Ajo rrugë konkrete që do tregoni, duhet të jetë efektive, jo të ekzistojë vetëm në letrat e bukura e të gënjeshtërta të negociatave me BE-në.

Gjykatat, mos e merrni fare mundimin të na i përmendni, sepse si profesionist i fushës, e them me përgjegjësi të plotë që ato u shkatërruan me reformën në drejtësi, që u mbështet edhe prej jush. As SPAK-un mos e tundni shumë si kartë sepse aty e keni Ballukun që e sfidoi hapur SPAK-un dhe bredh e lirë, si shumë të tjerë që kanë përdhunuar buxhetin dhe pasurinë publike. As Parlamentin mos e zini me gojë sepse kontrollohet në shumicë dërrmuese nga një njeri i vetëm, aq sa edhe deputetët kundra atij njeriu, ankohen hapur që nuk kanë ç’bëjnë dhe votojnë me detyrim. Madje, as juve vetë nuk ju dëgjoi kjo qeveri e ky Parlament, kur kërkuat shfuqizimin e ndryshimeve të ligjit për zonat e mbrojtura. Kur qeveria nuk pyet as për kërkesat tuaja, çfarë shprese ka qytetari i zakonshëm?

Ç’ju mbetet të na sugjeroni? Të takojmë Presidentin prej kauçuku, apo të bëjmë peticion te Avaz, nderkohë që në shesh policia gjuan me gurë e me plumba gome, e na mbyt me gaz rininë dhe fëmijët, e pastaj i rreh brutalisht e i thyen kockat? Apo edhe për to do presim gjyqet dhjetëraveçare deri sa të vdesim? Apo mos ndoshta e keni fjalën që të presim votimet e rradhës ku banditë e të korruptuar do na sjellin në Parlament edhe ca kamikazë të tjerë të këtij pushteti?

Nuk keni faj që nuk gjeni dot asnjë rrugë për sugjerim, sepse nuk ka dhe nuk do ketë sa të jetë në pushtet ai burri me atlete të bardha që andej nga ju bën për të qeshur gratë e burrat e BE-së kur i firmosin kapitujt “e përmbushur”, dhe këndej nga ne nuk ka lënë asnjë shteg demokratik.

Prandaj, nëse nuk keni përgjigje për këtë, më mirë heshtni fare edhe për dhunën e protestuesve. Sepse dënimi i pasojave, duke heshtur për shkaqet, nuk është mbrojtje e demokracisë. Është hipokrizi e veshur me diplomaci.

 

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.