Ligji për referendumet, Balla zbulon lëvizjen e radhës
Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka bërë të ditur se mazhoranca do të ndërmarrë një nismë të gjerë për hartimin e një ligji të posaçëm për referendumet në Shqipëri.
Në një konferencë për shtyp, ai theksoi se, megjithëse Kushtetuta e Shqipërisë e njeh dhe e parashikon mekanizmin e referendumit, aktualisht mungon një kuadër i detajuar ligjor që përcakton procedurat konkrete për organizimin dhe zhvillimin e tij.
Sipas Ballës, drafti ekzistues nuk do të procedohet menjëherë në Kuvendi i Shqipërisë, por fillimisht do t’i nënshtrohet një procesi të gjerë konsultimi publik. Qëllimi, sipas tij, është që dokumenti final të jetë i qëndrueshëm, gjithëpërfshirës dhe i pranuar nga një spektër i gjerë aktorësh.
Ai bëri të ditur se grupi parlamentar i Partisë Socialiste do të organizojë tryeza konsultative me ekspertë të fushës, përfshirë juristë, pedagogë, studentë dhe përfaqësues të shoqërisë civile, në mënyrë që drafti të përmirësohet përpara se të hyjë në procedurat parlamentare.
Gjatë fjalës së tij, Balla nënvizoi se referendumi është një instrument i rëndësishëm demokratik, i cili jo vetëm mundëson shprehjen e drejtpërdrejtë të vullnetit të qytetarëve, por shërben edhe si mekanizëm për miratimin e ndryshimeve kushtetuese. Ai shtoi se procesi që po nis synon të vendosë baza të forta ligjore për funksionimin e këtij instrumenti në praktikë.
“Në Shqipëri Kushtetuta përcakton sesi mbahen referendumet dhe po ashtu sesi përmes referendumit mund të miratohen edhe amendamentet kushtetuese. Sot jemi këtu për t’i dhënë udhë këtij procesi. Do të jetë një proces i gjerë dhe i gjatë. Përpara se këtë draft që kemi sot këtu ta depozitojmë në Kuvend, do t’ia nënshtrojmë një procesi të gjerë konsultimi. Grupi parlamentar i PS do të zhvillojë disa tryeza të mëdha konsultative me juristë, profesorë, studentë, shoqërinë civile që të shkojmë në një projekt të konsoliduar mirë që edhe pasi të hyjë në procedurën e Kuvendit, të jetë një proces konsultativ”, u shpreh Balla.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



