Lista finale për KLGJ, Gjykata e Lartë publikon emrat e kandidatëve
Mbledhja e Përgjithshme e Gjyqtarëve caktohet më 25 shtator 2026
Gjykata e Lartë ka mbyllur një nga fazat më të rëndësishme të procesit për rinovimin e Këshillit të Lartë Gjyqësor, duke shpallur listën përfundimtare të kandidatëve që kanë kaluar verifikimin e kritereve ligjore.
Procesi u hap zyrtarisht më 26 qershor 2026 dhe synon përzgjedhjen e tre anëtarëve të rinj në KLGJ, konkretisht: një përfaqësues nga gjykatat e shkallës së parë, një nga gjykatat e apelit dhe një nga radhët e gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë.
Pas shqyrtimit të dokumentacionit dhe verifikimit sipas përcaktimeve të ligjit nr. 115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, janë kualifikuar kandidatët që plotësojnë të gjitha kushtet për të vijuar në fazën e zgjedhjes.
Kandidatët që kaluan verifikimin janë:
- Arbena Ahmeti – Gjykata e Lartë
- Sandër Simoni – Gjykata e Lartë
- Igerta Hysi – Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar
- Fatri Islamaj – Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë
- Matilda Llangozi – Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë
- Brunilda Kadi – Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë
- Manjola Xhaxho – Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë
Ndërkohë, Kryetari i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi, ka përcaktuar edhe datën kur do të zhvillohet votimi. Mbledhja e Përgjithshme e Gjyqtarëve është thirrur për më 25 shtator 2026, në orën 10:00, ku do të bëhet përzgjedhja përfundimtare e anëtarëve të rinj të KLGJ-së.
Ky proces konsiderohet kyç për funksionimin dhe balancën e sistemit të drejtësisë, pasi KLGJ luan rol vendimtar në emërimet, vlerësimet dhe disiplinimin e gjyqtarëve në vend.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



