Partia Demokratike ka reaguar me një deklaratë për shtyp në lidhje me lajmet që qarkulluan për lobimin pranë qeverisë dhe kongresit të SHBA përmes një kontratë që arrin shifrat e 6 milionë eurove.
Sipas PD, ky lobim ka si synim bashkëpunimin me SHBA për të rivendosur demokracinë në Shqipëri, ndërsa financimi realizohet nga patriotë shqiptarë.
Reagimi i plotë i PD:
Komuniteti shqiptaro-amerikan, përmes fondacionit “Make Albania Great Again”, ka kontraktuar kompaninë “Continental” për të ndihmuar në konsolidimin e marrëdhënieve miqësore të Partisë Demokratike, si forca më e madhe opozitare, me Kongresin dhe Qeverinë e SHBA-së. Synimi i bashkëatdhetarëve tanë në SHBA është bashkëpunimi i PD-së me aleatin kryesor të Shqipërisë, për të rivendosur demokracinë funksionale dhe shtetin e së drejtës në Shqipëri.
Kompania “Continental” drejtohet nga Ambasadori Carlos Trujillo, i cili njihet gjithashtu si avokat i Presidentit Trump dhe si antikomunist i palëkundur në qëndrimet e tij.
Kontributi financiar për realizimin e këtij qëllimi është marrë përsipër 100% nga patriotë shqiptarë që jetojnë dhe punojnë prej dekadash në SHBA, si dhe nga demokratë të tjerë të larguar nga Shqipëria gjatë këtyre 10 viteve për shkak të regjimit të Edi Ramës.
Partia Demokratike, duke falënderuar demokratët antikomunistë të komunitetit shqiptaro-amerikan për bujarinë dhe patriotizmin e tyre, sqaron opinionin publik se, ndonëse ka dhënë dakordësinë për marrjen e këtij shërbimi në përputhje të plotë me ligjet e të dy vendeve, nuk ka asnjë barrë financiare apo detyrim kontraktual që lind nga kjo marrëveshje.
Partia Demokratike ka nënshkruar një kontratë prej 6 milionë dollarësh me një kompani amerikane lobimi, të zotëruar nga figura të afërta me ish-presidentin Donald Trump, për të lobuar pranë qeverisë amerikane për një periudhë dyvjeçare.
Sipas kontratës, kompania do të ofrojë shërbimet e mëposhtme në favor të Partisë Demokratike:
1.Krijimi i marrëdhënieve me aktorët kryesorë në administratën dhe Kongresin e Shteteve të Bashkuara, për të lehtësuar zhvillimin e politikave.
2.Mbështetje për promovimin e demokracisë, luftën kundër korrupsionit dhe reformat qeveritare në përputhje me marrëdhëniet SHBA-Shqipëri.
3.Përdorimi i përvojës në marrëdhënie qeveritare, advokim politik, mbështetje ligjore dhe angazhimin e palëve të interesuara, në përputhje me objektivat e Partisë Demokratike dhe koalicionit të saj, Aleanca për Shqipërinë e Madhe.
Kostoja e kontratës
Sipas marrëveshjes së nënshkruar më 4 prill, “klienti (nëpërmjet garantuesit të tij) do të paguajë kompaninë me një tarifë mujore prej 250,000 dollarësh për një paketë të plotë shërbimesh lobimi, advokimi dhe mbështetjeje ligjore strategjike, për një periudhë prej 24 muajsh. Pagesa për tre muajt e parë (paradhënie) do të kryhet me nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje.”
Garantues i kontratës është Nuredin Seci, një shqiptaro-amerikan me origjinë nga Tropoja, rezident në New York.
Kush është Continental Strategy
Kompania e kontraktuar, Continental Strategy, u themelua në vitin 2021 nga Carlos Trujillo, ish-ambasador i Shteteve të Bashkuara në Organizatën e Shteteve Amerikane gjatë administratës Trump.
Pas largimit nga administrata, Trujillo krijoi kompaninë e tij, e cila shpejt u pozicionua afër rrethit të ngushtë të Donald Trump.
Vetëm disa ditë pas rizgjedhjes së Trump-it si President, Continental promovoi Katie Wiles, vajza e Susie Wiles, shefe e fushatës së Trump.
Më pas, kompania rekrutoi edhe Alberto Martinez, ish-shef stafi i senatorit Marco Rubio, si partner menaxhues, si dhe Alex Garcia, ish-zëvendësdrejtor politik i fushatës së Trump-it, si partner tjetër.
Zgjedhja e një kompanie të lidhur ngushtë me rrethin e presidentit amerikan duket e qëllimshme. Përmes kësaj marrëveshjeje, Partia Demokratike synon të rrisë aksesin në nivelet më të larta të Shtëpisë së Bardhë dhe të trajtojë çështje të vjetra, siç është shpallja “non grata” e Sali Berishës nga Departamenti i Shtetit.
Shërbimi i parë që Continental Strategy realizoi për Partinë Demokratike ishte një bisedë telefonike me Dan Holler, shefin e stafit të senatorit Marco Rubio – një figurë që mund të ketë ndikim mbi procesin e rishikimit të shpalljeve “non grata”, përfshirë atë të Berishës.