Lorik Cana në mbështetje të studentëve: Janë e ardhmja e vendit
Ish-kapiteni i Kombëtares shqiptare, Lorik Cana, ka reaguar publikisht për protestat studentore dhe rinore që prej shtatë ditësh po zhvillohen në Tiranë dhe qytete të tjera të vendit.
Përmes një mesazhi të publikuar në Instagram, Cana u ka bërë thirrje institucioneve dhe shoqërisë që t’u kushtojnë vëmendjen e duhur kërkesave të studentëve, duke theksuar rëndësinë e gjetjes së një zgjidhjeje të qëndrueshme.
Ish-futbollisti i njohur nënvizon se, kur të rinjtë dalin në protestë për të drejtat e tyre, kërkesat e tyre duhet të jenë në qendër të vëmendjes deri në arritjen e një marrëveshjeje.
“Kur studentët ngrihen në protestë dhe kërkojnë të drejtat e tyre, vëmendja dhe prioritetet e shoqërisë dhe të institucioneve duhet të përqendrohen plotësisht te ata deri në gjetjen e një zgjidhjeje apo marrëveshjeje të qëndrueshme”, shkruan Cana.
Ai thekson gjithashtu se mbështetja ndaj studentëve dhe përmirësimi i kushteve të tyre kanë rëndësi të drejtpërdrejtë për të ardhmen e vendit dhe zhvillimin e shoqërisë.
“Studentët përfaqësojnë të ardhmen e vendit dhe investimi te kushtet e tyre është investim direkt në mbarëvajtjen e shoqërisë”, shprehet ish-kapiteni i Kombëtares.
Reagimi i Lorik Canës vjen në ditën e shtatë të protestave, ndërsa të rinjtë vijojnë të kërkojnë vëmendjen e institucioneve për shqetësimet e tyre. Tubimet janë zhvilluar në Tiranë dhe në qytete të tjera, duke përfshirë edhe studentë që u kanë bërë thirrje bashkëmoshatarëve të tyre t’i bashkohen lëvizjes.

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



