Lumë njerëzish para Kryeministrisë: “Rama në burg, Berisha në burg!”
Një lumë njerëzish ka mbushur bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në Tiranë, ku studentë dhe qytetarë po protestojnë para godinës së Kryeministrisë. Protestuesit mbërritën aty pas një marshimi nga Ministria e Arsimit. Ata vijojnë thirrjet kundër qeverisë dhe kërkojnë arrestimin e kryeministrit Edi Rama dhe të ish-kryeministrit Sali Berisha.
Për momentin situata para Kryeministrisë është e qetë dhe nuk raportohen përplasje mes protestuesve dhe forcave të rendit. Megjithatë, policia mbetet në gatishmëri dhe ka marrë masa për skenarë të mundshëm dhune, pas incidenteve të një dite më parë.
Gurë drejt Ministrisë së Arsimit
Protesta e kësaj të diele nisi pak pas orës 14:00 para Ministrisë së Arsimit, ku u mblodhën fillimisht studentë dhe qytetarë. Në zonë ishin vendosur forca të shumta policie, ndërsa në gatishmëri qëndronin edhe autobotët me ujë.
Tensionet e para u regjistruan gjatë grumbullimit para ministrisë, kur disa protestues hodhën gurë drejt godinës. Policia nuk ndërhyri, por qëndroi gati për rastin e përshkallëzimit.
Pas këtyre momenteve, protestuesit nisën marshimin drejt Kryeministrisë me thirrjet “Rama në burg, Berisha në burg”. Ata kërkuan gjithashtu dorëheqjen e kryeministrit Rama dhe ndalimin e dhunës policore ndaj të rinjve, duke akuzuar efektivët për ndërhyrjet gjatë protestave të fundit.
23 të plagosur një ditë më parë
Tubimi i sotëm vjen një ditë pas protestës kombëtare të 24 tetorit, e cila u shoqërua me përplasje mes protestuesve dhe policisë, si dhe me hedhje gurësh e molotovësh.
Sipas të dhënave të raportuara, nga incidentet e së shtunës mbetën të plagosur 23 persona. Mes tyre është edhe 28-vjeçari Erjon Vishkulli, i cili raportohet se u godit në sy me plumb gome. Plumbi ndodhet ende në syrin e tij të majtë dhe ai pritet të transferohet për trajtim në një spital në Romë.
Ndërkohë, protesta vijon para Kryeministrisë, ku qytetarët po përsërisin kërkesat e tyre. Pavarësisht qetësisë së momentit, policia vazhdon ta monitorojë situatën dhe është e gatshme të ndërhyjë në rast incidentesh të reja.
Lajmi është në përditësim.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



