Macron thirrje francezëve: Votoni kundër ekstremit të djathtë

Presidenti francez Emmanuel Macron mbrojti edhe një herë vendimin e tij për shpërndarjen e Asamblesë Kombëtare dhe shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme. Ai u ka bërë thirrje francezëve që të votojnë kundër ekstremeve dhe të mos kenë frikë, nëntë ditë para raundit të parë të zgjedhjeve parlamentare.

Më 9 qershor mora një vendim shumë serioz, dhe mund t’ju them se më kushtoi shumë. Jo, jo, nuk duhet të kemi frikë”, u tha ai publikut të mbledhur jashtë Pallatit Elysee për të dëgjuar shumë artistë me rastin e Festivalit vjetor të Muzikës më 21 qershor.

Tubimi Kombëtar, në aleancë me një pjesë të republikanëve me Eric Ciottin, vlerësohet me 250 deri në 300 deputetë në Asamblenë Kombëtare të ardhshme dhe nëse siguron përqindjet maksimale, do të ketë një shumicë absolute.

“Ka ekstreme që nuk mund të lejojmë të kapërcehen. Tani është koha për të treguar përgjegjësi”, shtoi Macron.

Perspektiva e një bashkëpunimi me Tubimin Kombëtar të Marine Le Pen ose një qeveri koalicioni që kombinon forcat e tjera rreth kampit presidencial janë ndër skenarët e mundshëm.

Emmanuel Macron tha javën e kaluar se nuk do të përjashtonte mundësinë e dorëheqjes, pavarësisht nga rezultati i zgjedhjeve parlamentare të 30 qershorit dhe 7 korrikut.

Publikuar nga Publik Media