Mandati i popullit të jep të drejtën e qeverisjes dhe jo të sundimit
Për të katërtën ditë me radhë, rrugët e Tiranës janë mbushur me dhjetëra mijëra protestues, kryesisht të rinj. Ata kanë dalë në shesh me një kërkesë që në çdo vend demokratik do të konsiderohej minimale, por që në Shqipëri duket si luks: transparencë!
Shkaku i kësaj revolte qytetare lidhet drejtpërdrejt me projektet turistike të planifikuara në Nartë, Zvërnec dhe Sazan — investime që mbajnë emrat e Jared Kushner dhe Ivanka Trump. Ashtu siç ndodh rëndom në diskursin tonë politik, sapo qytetarët ngrenë pyetje, makineria e propagandës nxiton t’i akuzojë ata si “kundërshtarë të zhvillimit”, “armiq të turizmit” apo edhe “anti-amerikanë”.
Në të vërtetë, askush nuk po proteston kundër investimeve të huaja. Shqipëria ka nevojë imediate për investime serioze, për vende pune dhe zhvillim ekonomik. Problemi madhor fillon atëherë kur investimi paraqitet si një lloj “mrekullie hyjnore” që duhet pranuar me sy mbyllur, pa bërë pyetje, pa parë dokumente dhe pa ditur se si është marrë vendimi.
Nga jahti në Mesdhe tek ligjet e Republikës
Historia e këtij investimi është aq romantike sa do ta kishte zili edhe industria e Hollywood-it. Nga vetë rrëfimi publik i Ivanka Trump, gjithçka nisi gjatë një shëtitjeje me jaht në Mesdhe. Ajo tregoi se si u afruan pranë një ishulli për të notuar, panë një vend të mrekullueshëm, zbuluan aty potencial dhe vendosën se do të ishte një ide e mirë për të investuar.
Kjo është një histori e bukur për t’u treguar në darka miqsh, por është skandaloze kur kthehet në procedurë shtetërore për zhvillimin e territorit të një vendi.
Nëse ndjekim këtë logjikë, atëherë:
Studimet e fizibilitetit qenkan një shpikje e panevojshme burokratike.
Raportet mjedisore qenkan thjesht humbje kohe.
Planet territoriale dhe garat ndërkombëtare qenkan zakone të vjetra që nuk i shërbejnë askujt.
Mjafton të shohësh një peizazh nga kuverta e një jahti luksoz dhe projekti strategjik konsiderohet praktikisht i miratuar. Historia bëhet edhe më interesante kur Jared Kushner tregon se si në atë jaht, krahas mikut të tij Rothschild, u ngjit edhe kryeministri Edi Rama. U morën vesh shpejt dhe mirë. Pas një viti, vendosën të vijnë në Shqipëri “për të ndërtuar diçka të bukur”.
Ndërsa vendet e tjera shpenzojnë vite duke organizuar konkurse ndërkombëtare, duke angazhuar studio arkitekturore, ekspertë mjedisi, ekonomistë e juristë, Shqipëria ka zbuluar një model krejtësisht të ri: planifikimi strategjik zëvendësohet nga bisedat miqësore mbi kuvertë.
Kur mbarojnë argumentet, fillojnë gardhet
Natyrisht, qytetarët nuk do ta kishin marrë vesh kurrë këtë histori nëse nuk do t’ua kishin treguar vetë protagonistët në intervistat e tyre jashtë vendit. Nuk pati asnjë lajm paraprak nga qeveria, asnjë prezantim publik të projektit, asnjë debat kombëtar dhe asnjë konsultim serioz me komunitetin. Shqiptarët mësuan për fatin e territorit të tyre pasi gjithçka ishte vulosur.
Dhe çfarë erdhi pas kësaj?
Erdhën gardhet me tela me gjemba.
Erdhën kompanitë private të sigurisë, të veshura me të zeza.
Erdhën përplasjet fizike me aktivistët.
Sepse, siç e tregon historia, kur argumentet mbarojnë, fillojnë gardhet. Kur transparenca mungon, shtohen rojet.
Në vend të dialogut, protestuesit u shpallën brenda natës agjentë, spiunë, të manipuluar dhe pjesë e komploteve ndërkombëtare. Në Shqipëri ekziston një rregull i pashkruar: çdo qytetar që kërkon transparencë, pushon automatikisht së qeni qytetar dhe shndërrohet në armik. Po vazhduan protestat, nuk do të ishte çudi që ndonjë analist ekrani të zbulojë se pas pelikanit kaçurrel të Divjakës fshihet një organizatë sekrete me qendër në Paqësor.
Vota nuk e zëvendëson ligjin
Pyetjet e të rinjve në shesh mbeten kokëforta dhe të thjeshta: Përse nuk pati garë? Përse nuk pati transparencë? Si kaloi prona te pronarët aktualë? Përse informohemi vetëm pasi vendimet janë marrë?
Në përgjigje të tyre, Kryeministri Edi Rama përsërit refrenin e tij të zakonshëm: ai ka marrë mandatin e popullit për të qeverisur dhe për të realizuar vizionin e tij. Kjo është e vërtetë, por vetëm deri në një pikë. Populli të jep mandatin për të qeverisur, por nuk të jep të drejtën ta trajtosh shtetin si pronë private dhe procedurat ligjore si sugjerime fakultative.
Asnjë qytetar nuk ka votuar që konkurrenca e lirë të zëvendësohet nga telefonatat mes miqsh. Asnjë qytetar nuk ka votuar që ligjet e mjedisit të pezullohen sa herë që paraqitet një investitor i fuqishëm. Nëse mandati elektoral do të mjaftonte për të bërë gjithçka, Kushtetuta do të ishte një dokument i panevojshëm. Nuk do të kishte nevojë për gjykata, institucione kontrolli apo ligje. Do të mjaftonte rezultati i zgjedhjeve dhe çdo tekë e pushtetit do të konsiderohej automatikisht e drejtë.
Fatmirësisht, demokracia nuk funksionon kështu. Në demokraci, vota nuk e zëvendëson ligjin; vota i jep qeverisë detyrimin për ta zbatuar atë.
Investitorët seriozë nuk kanë frikë nga transparenca dhe as nga garat e hapura — ata marrin pjesë në to. Ata nuk e shohin debatin publik si kërcënim, por si garanci për stabilitet afatgjatë. Vetëm në Shqipëri është ngritur në sistem ideja se fshehtësia është garancia më e mirë e suksesit.
Prandaj, problemi sot nuk është thjesht nëse do të ndërtohet apo jo në Zvërnec e Sazan. Problemi është mënyra se si merren vendimet në këtë vend. Të rinjtë në rrugë nuk po kërkojnë të bëhen kryeministra dhe as të negociojnë kontrata; ata po kërkojnë që shteti të respektojë rregullat që vetë ka shkruar.
Qeveria është votuar për të qeverisur Shqipërinë, jo për ta zëvendësuar atë. Kryeministri është votuar për të mbrojtur interesin publik, jo për t’u kërkuar qytetarëve besim verbër. Dhe kjo është arsyeja pse sheshi nuk po zbrazet. Mijëra qytetarë po përpiqen t’i kujtojnë pushtetit një parim universal që harrohet rrugës: në demokraci, mandati i popullit të jep të drejtën të qeverisësh, por nuk të jep kurrë të drejtën të sundosh.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



