E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Marjana Koçeku: Uji, dritat e mbeturinat nuk zgjidhen me e-Albania
Lajme

Marjana Koçeku: Uji, dritat e mbeturinat nuk zgjidhen me e-Albania

Deputetja e pavarur Marjana Koçeku ka ngritur shqetësimin për problematikat konkrete me të cilat përballen banorët e Dukagjinit, duke kërkuar që reforma administrativo-territoriale të mos trajtohet vetëm përmes shifrave dhe ndarjeve politike.

E ftuar në emisionin “Minuta e Parë” në News24, me moderatore Ola Bruko, Koçeku u ndal te problematikat që hasin komunitetet në zonat nga ku është zgjedhur deputete, duke vënë theksin te nevoja për një prani reale të përfaqësuesve politikë pranë qytetarëve.

Sipas saj, kontakti i deputetit me komunitetin nuk duhet të paraqitet si një risi apo si një mënyrë e re e ushtrimit të politikës, por si pjesë e detyrimit që buron nga mandati i marrë prej votuesve.

Në fokus të deklaratave të saj ishte veçanërisht Dukagjini, ku, sipas Koçekut, vijojnë të mbeten të pazgjidhura problematika që lidhen me shërbimet më bazike. Ajo përmendi furnizimin me ujë të pijshëm, energjinë elektrike dhe menaxhimin e mbetjeve si çështje që kërkojnë ndërhyrje konkrete në terren.

Koçeku theksoi se digjitalizimi i shërbimeve publike dhe përdorimi i platformës e-Albania kanë sjellë përmirësime në disa drejtime, por nuk mund të zëvendësojnë investimet dhe shërbimet fizike që u nevojiten komuniteteve.

Në këtë kontekst, deputetja argumentoi se edhe diskutimi për reformën territoriale duhet të nisë nga problematikat reale të banorëve dhe jo vetëm nga numri i bashkive apo përplasjet mes mazhorancës dhe opozitës.

Sipas saj, qëllimi i reformës duhet të jetë krijimi i kushteve që banorët të kenë mundësi të qëndrojnë në zonat ku jetojnë dhe të marrin shërbimet e nevojshme pranë vendbanimeve të tyre.

Koçeku u shpreh gjithashtu për votimin që pritet të zhvillohet në Kuvend lidhur me reformën territoriale, duke nënvizuar se qëndrimi i saj duhet të mbështetet te një vlerësim i situatës konkrete dhe nevojave të komuniteteve.

“Është detyrim i deputetit që të jetë afër komunitetit. Prania besnike nuk ka pse të gjendet si gjetje e re, pasi është detyrim normal që deputeti të jetë i pranishëm në zonën nga ku është zgjedhur”, deklaroi Koçeku.

Ajo tha se gjatë takimeve me qytetarët diskutohen problematika të niveleve të ndryshme, por në Dukagjin mbeten ende çështje shumë elementare që kërkojnë zgjidhje.

“Zona e Dukagjinit ka nevojë dhe për shumë gjëra bazike, si mbeturinat, apo dhe me ujin e pijshëm dhe dritat”, u shpreh deputetja.

Koçeku argumentoi se debati për reformën administrativo-territoriale duhet të kalojë përtej llogarive numerike dhe të fokusohet te mënyra se si mund të funksionojnë më mirë njësitë vendore dhe si mund të garantohen shërbimet për banorët.

“Ne duhet të orientojmë debatin e reformës territoriale përtej numrave”, tha ajo, duke kundërshtuar një qasje që, sipas saj, e sheh çështjen kryesisht përmes propozimeve politike të mazhorancës apo opozitës.

Deputetja vlerësoi se problematikat e trashëguara nga reforma e mëparshme duhet të analizohen përpara se të ndërmerren ndryshime të reja.

Në këtë kuadër, ajo kërkoi që vëmendja të përqendrohet te mënyrat se si mund të mbahen banorët në bashkitë e vogla dhe si mund t’u afrohen shërbimet publike, pa e trajtuar ndryshimin e strukturës politike si zgjidhjen e vetme.

Koçeku solli në vëmendje edhe funksionimin e administrimit vendor, duke theksuar se bashkitë kanë strukturat dhe organizmat e tyre dhe se administratorët varen drejtpërdrejt nga kryetarët e bashkive.

“Bashkia nuk është zgjatim i pushtetit vendor, pasi ka organizmat e veta. Sot për sot një administrator mund të shkarkohet kurdo nga kryetari i bashkisë”, deklaroi ajo.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.