Mashtronin gjermanët, SPAK çon për gjykim grupin e “call center”-ave

Facebook
X
WhatsApp
Telegram

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim një grup personash të akuzuar për mashtrim kompjuterik në kuadër të një organizate kriminale që operonte përmes një “call center”-i në Tiranë.

Sipas njoftimit zyrtar, procedimi penal nr. 42 i vitit 2024 është depozituar në Gjykatën e Posaçme, ndërsa në total janë tetë të pandehur. Emiljano Sejdillari dhe Sokol Krasniqi akuzohen për mashtrim kompjuterik në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal. Rodrigo Guga, Eltion Logu, Tafil Dyrmishi dhe Lisjane Çulani përballen me të njëjtat akuza në bashkëpunim, por në një nivel tjetër organizimi. Ndërkohë, Klejdi Nuka dhe Mateo Llozhi akuzohen për mashtrim kompjuterik në bashkëpunim.

Hetimet nisën pas një kërkese për ndihmë juridike nga Prokuroria e Përgjithshme në Karlsruhe, në kuadër të një procedimi penal për mashtrime të organizuara ndaj shtetasve gjermanë.

Sipas SPAK, skema u zbulua pas një rasti konkret më 14 dhjetor 2023, kur një grua në Freiburg u tentua të mashtrohej për shumën 120 mijë euro. Ndërhyrja në kohë e policisë gjermane bëri të mundur parandalimin e transferimit, ndërsa më pas hetimet zbuluan një aktivitet të gjerë kriminal të bazuar në qindra mijëra telefonata mashtruese.

Autorët përdornin teknologji të avancuara për të fshehur identitetin, përfshirë aplikacione për falsifikimin e numrit të telefonit (Caller ID spoofing), shërbime “Voice over IP” dhe rrjete anonimizuese si VPN. Nga analizat teknike u identifikuan lidhje me adresa IP të lidhura edhe me kompani interneti në Shqipëri.

Në vijim të hetimeve, autoritetet shqiptare lokalizuan një qendër thirrjesh në rrugën “Hamdi Sina” në Tiranë. Gjatë një operacioni të zhvilluar më 18 prill 2024, u ushtrua kontroll në ambientet e këtij “call center”-i, ku u shoqëruan disa persona dhe u sekuestruan prova të shumta materiale dhe digjitale.

Nga hetimet rezulton se grupi vepronte në mënyrë të organizuar për të mashtruar shtetas gjermanë, ndërsa aktiviteti zhvillohej përmes një subjekti të paregjistruar në organet tatimore.

Gjykata e Posaçme, me vendim të korrikut 2025, caktoi masat e sigurimit “arrest në burg” për pesë persona dhe “arrest në shtëpi” për tre të tjerë. Një prej të hetuarve është ekstraduar nga Gjermania drejt Shqipërisë.

Sipas SPAK, dëmi i dokumentuar nga ky aktivitet kriminal arrin në 363,501 euro për 14 viktima, ndërsa një numër i konsiderueshëm tentativash mashtrimi është parandaluar falë ndërhyrjes së autoriteteve gjermane, të cilat kanë kontaktuar menjëherë viktimat pas telefonatave të dyshimta.

Prokuroria e Posaçme thekson se fenomeni i mashtrimeve online përmes “call center”-ave mbetet një prioritet në luftën kundër krimit të organizuar, duke paralajmëruar vijimin e goditjeve në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë.

Publikuar nga Publik Media