Mbi 12 orë kaos në Tiranë, mbyllet revolta e studentëve
Pas më shumë se 12 orësh tensione dhe përplasjesh me forcat e rendit, protesta e studentëve në Tiranë është mbyllur mbrëmjen e së mërkurës, më 14 tetor. Ajo që nisi si një tubim proteste përfundoi në incidente të dhunshme në disa zona të kryeqytetit, me institucione shtetërore të dëmtuara, automjete të djegura, biznese të sulmuara dhe persona të lënduar.
Demonstrata, e zhvilluar për të dytën ditë radhazi, u shoqërua gjatë gjithë ditës me përplasje mes protestuesve dhe policisë. Situata u përshkallëzua gradualisht, duke përfshirë disa prej akseve kryesore të Tiranës dhe godinat e institucioneve qendrore.
Ndërtesat e Ministrisë së Arsimit, Ministrisë së Ekonomisë dhe Inovacionit, Ministrisë së Financave dhe Ministrisë së Drejtësisë u përfshinë në episodet e dhunës. Incidente u raportuan gjithashtu pranë Kryeministrisë dhe Kryesisë së Kuvendit, ku u konstatuan thyerje xhamash, dëmtime dhe vatra zjarri.
Përplasjet u përhapën në disa zona të kryeqytetit
Pas incidenteve pranë institucioneve shtetërore, tensionet u zhvendosën në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, në zonën e Piramidës, në Rrugën e Durrësit, te “21 Dhjetori”, në Zogun e Zi dhe në Rrugën e Elbasanit.
Gjatë përplasjeve u sulmuan edhe banka dhe biznese private. Disa automjete, përfshirë mjete të Bashkisë së Tiranës dhe të Policisë së Shtetit, u përfshinë nga flakët.
Në disa prej zonave të përfshira nga protestat u ngritën barrikada dhe u ndezën zjarre, duke shkaktuar re të dendura tymi dhe vështirësi në qarkullimin rrugor.
Për të shpërndarë turmën dhe për të rikthyer kontrollin e situatës, policia përdori gaz lotsjellës dhe ujë me presion. Përplasjet vijuan për orë të tëra, duke e mbajtur kryeqytetin nën tension deri në mbylljen e protestës.
Të paktën 35 persona të shoqëruar, efektivë policie të lënduar
Bilanci i protestës përfshin edhe persona të lënduar dhe shoqërime në polici. Sipas të dhënave të raportuara nga autoritetet, të paktën 35 persona u shoqëruan, ndërsa vijonin veprimet për identifikimin e personave të dyshuar për përfshirje në aktet e dhunshme.
Edhe efektivë të Policisë së Shtetit mbetën të lënduar gjatë përplasjeve. Disa prej tyre morën trajtim mjekësor në Spitalin Universitar të Traumës.
Pas më shumë se 12 orësh, protesta u mbyll, duke lënë pas dëme në institucione, biznese të sulmuara, automjete të djegura dhe një bilanc personash të lënduar e të shoqëruar.
Tensionet e së mërkurës shënojnë një tjetër ditë të trazuar në kryeqytet, pas protestave të zhvilluara për të dytën ditë radhazi.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



