Mbyllja e News 24, reagon Shoqata Media e Lirë
DEKLARATË PROTESTE
Shoqata “Media e Lirë”
Shoqata “Media e Lirë” dënon me ashpërsinë më të madhe veprimin e sotëm të forcave të policisë, të cilat prej orëve të para të mëngjesit kanë bllokuar ambientet e punës së gazetarëve të televizioneve dhe redaksive kryesore të vendit. Bllokimi i ambienteve të punës së gazetarëve përbën një shkelje flagrante të parimeve themelore të demokracisë dhe të lirisë së shprehjes, të garantuara nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë dhe aktet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, përfshirë Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
“Ndërhyrja e policisë, që pengon punën e gazetarëve, është një presion i hapur, i papranueshëm dhe i rrezikshëm mbi median e lirë,” thuhet në deklaratën e organizatës, e cila i bën thirrje institucioneve shtetërore të ndërpresin menjëherë këtë aksion arbitrar dhe të garantojnë aksesin e plotë dhe të pacenuar të gazetarëve në vendin e tyre të punës.
Shoqata “Media e Lirë” apelon gjithashtu ndaj organizata vendore dhe ndërkombëtare për lirinë e shprehjes, përfshirë OSBE, Reporterët pa Kufij dhe Federatën Evropiane të Gazetarëve, që të monitorojnë nga afër situatën dhe të reagojnë publikisht kundër kësaj shkeljeje të rëndë.
“Çdo konflikt i institucioneve me mediat private duhet të zgjidhet në rrugë ligjore dhe me mirëkuptim, jo me forcë, presion dhe frikësim,” përfundon reagimi i Shoqatës “Media e Lirë”.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



