Me 1000 fara kanabisi me vete, arrestohet 31-vjeçari
Policia e Tiranës ka finalizuar një tjetër operacion në kuadër të luftës kundër kultivimit të lëndëve narkotike, duke goditur një rast në fazë të hershme.
Aksioni i koduar “Procesi”, i zhvilluar nga Komisariati Nr. 2, u përqendrua në zonën e Rrugës së Dafinave, ku shërbimet e policisë ndaluan për kontroll një automjet në lëvizje.
Gjatë verifikimeve, në mjetin që drejtohej nga shtetasi R. A., 31 vjeç, u zbulua një qese që përmbante rreth 1000 fara të dyshuara si narkotike, të llojit kanabis sativa.
Pas përfundimit të procedurave të para, i riu u arrestua në flagrancë, ndërsa policia sekuestroi si provë materiale farat e dyshuara si dhe automjetin tip “Benz” që ai përdorte.
Sipas burimeve zyrtare, ky operacion është pjesë e strategjisë së intensifikuar për të parandaluar dhe goditur aktivitetet kriminale që lidhen me kultivimin e narkotikëve që në fazat fillestare, duke synuar shmangien e përhapjes së tyre në shkallë më të gjerë.
Materialet procedurale i janë kaluar Prokurorisë së Tiranës, e cila do të vijojë me hetimet për zbardhjen e plotë të rastit.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



