Me arsenal armësh në banesë, kapet 21-vjeçari në Shkodër (EMRI)
Një operacion policor në Shkodër ka çuar në arrestimin e një të riu, i cili dyshohet se mbante armë zjarri dhe municion në mënyrë të paligjshme në banesën e tij.
Në pranga ka rënë 21-vjeçari Roberto Malocaj, pas një kontrolli të ushtruar nga policia në fshatin Trush. Gjatë verifikimeve në banesë, efektivët zbuluan dhe sekuestruan katër armë zjarri, përfshirë një automatik, një pushkë dhe dy armë gjahu, si dhe një sasi të konsiderueshme municioni luftarak.
Aksioni u zhvillua në kuadër të operacionit të koduar “Kalibri”, i cili synon goditjen e rasteve të armëmbajtjes pa leje dhe forcimin e sigurisë publike. Sipas policisë, ndërhyrja erdhi pas sigurimit të informacionit në rrugë operative, duke mundësuar reagim të shpejtë dhe kapjen e të dyshuarit.
Armët e sekuestruara janë dërguar për ekspertizë në Institutin e Policisë Shkencore, ku do të verifikohet nëse ato janë përdorur në ngjarje të tjera kriminale.
Ndërkohë, materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Shkodrës për vijimin e hetimeve dhe përcaktimin e përgjegjësive ligjore ndaj të arrestuarit.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



