Me granata dhe tritol me vete, arrestohet 52-vjeçari në Tiranë
Një operacion i koordinuar nga strukturat speciale të Policisë së Shtetit ka çuar në arrestimin e një 52-vjeçari në Fushë-Krujë, i cili u kap në flagrancë me materiale të rrezikshme shpërthyese.
Aksioni, i koduar “Porosia”, u zhvillua pas informacioneve të siguruara në rrugë operative nga Forca e Posaçme “Shqiponja”, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale dhe Seksionin për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme.
Gjatë ndërhyrjes në rrugën “Kastriotët”, u ndalua shtetasi Petrit Çeça, 52 vjeç, banues në Fushë-Krujë, i njohur për precedentë të mëparshëm në fushën e narkotikëve.
Kontrolli i ushtruar ndaj tij nxori në pah një arsenal të rrezikshëm, ku u sekuestruan dy granata dore luftarake, dy ndezës unifikues, si dhe rreth 600 gramë lëndë plasëse tip tritol. Një pjesë e saj rezultonte e përgatitur për përdorim të menjëhershëm, e pajisur me fitila dhe kapsolla detonatore. Gjithashtu, u gjetën edhe gjashtë kapsolla të tjera detonatore.
Sipas burimeve zyrtare, të gjitha materialet u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, ndërsa ndaj të dyshuarit janë referuar materialet në Prokurori për vijimin e hetimeve dhe përcaktimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Autoritetet vijojnë punën për të zbuluar destinacionin dhe qëllimin e këtyre lëndëve shpërthyese, duke mos përjashtuar mundësinë e përfshirjes në aktivitete kriminale me rrezikshmëri të lartë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



