“Më ka kërcënuar ministri”, Agron Shehaj lëshon akuza të forta
Seanca plenare e ditës së sotme është shoqëruar me tensione, pasi deputeti Agron Shehaj ka ngritur akuza të forta ndaj ministrit të Financave, Petrit Malaj, duke pretenduar se është shantazhuar publikisht.
Debati nisi në momentin kur kryetari i seancës kërkoi miratimin e procesverbalit të mbledhjes së kaluar. Gjatë ndërhyrjes së tij, Shehaj deklaroi se në seancën e mëparshme ishte konsumuar një vepër penale, duke akuzuar ministrin se kishte aksesuar dhe bërë publike informacione personale që lidhen me të dhe familjarët e tij.
Sipas deputetit, këto të dhëna janë përdorur për qëllime presioni dhe shantazhi në ambientet e Kuvendit.
“Në seancën e kaluar është konstatuar një vepër penale nga ministri i Financave. Ai ka treguar hapur se ka aksesuar informacione që lidhen me mua dhe familjarët e mi, i ka bërë publike dhe i ka përdorur për të më shantazhuar”, u shpreh Shehaj.
Nga ana tjetër, drejtuesi i seancës, Niko Peleshi, ndërhyri duke theksuar se diskutimi ishte jashtë rendit të ditës dhe procedurës parlamentare, duke i kërkuar deputetit të mos vijonte me deklarata politike në atë moment.
Megjithatë, Shehaj vijoi me akuzat e tij, duke shtuar se, përveç shantazhit, ministri kishte përdorur edhe një gjuhë të papërshtatshme gjatë komunikimit, ndërsa ngriti shqetësime edhe për mënyrën e funksionimit të Kuvendit.
Ai pretendoi se procesverbalet manipulohen dhe se vendimmarrja shpesh bie ndesh me rregulloren parlamentare.
Në përfundim të debatit, Peleshi deklaroi se Sekretaria e Kuvendit do të verifikojë pretendimet e ngritura, për të sqaruar situatën dhe për të dhënë një qëndrim zyrtar.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



