Me qindra qytetarë në protestë para Ministrisë së Brendshme
Aktivistë të mjedisit, përfaqësues të shoqërisë civile dhe qytetarë të shumtë u mblodhën pasditen e së dielës në kryeqytet, përpara Ministrisë së Brendshme, për të protestuar kundër ndërtimeve në zonën e Zvërnecit, në Vlorë.
Tubimi vjen vetëm një ditë pas përplasjeve të ndodhura në vetë zonën e Zvërnecit, ku aktivistët u përballën me rojet e sigurisë private të kompanisë që ka nisur punimet. Gjatë incidentit, një prej protestuesve u tërhoq zvarrë dhe u dhunua nga efektivët e sigurisë, duke shkaktuar reagime të forta në opinionin publik.
Në protestën e zhvilluar në Tiranë, aktivistët ngritën shqetësime mbi dëmtimin e zonave të mbrojtura dhe kërkuan ndërprerjen e menjëhershme të punimeve në Zvërnec. Ata theksuan se çështja nuk lidhet vetëm me një territor të caktuar, por me mbrojtjen e pasurive natyrore në të gjithë vendin.
Një nga zërat kryesorë të protestës, aktivisti Taulant Binaj, deklaroi se “Shqipëria nuk shitet”, duke e cilësuar këtë kauzë si një betejë kombëtare dhe jo thjesht lokale. Sipas tij, zhvillimet e fundit janë pasojë direkte e ndryshimeve ligjore.
Ai theksoi se problemi themelor qëndron te ligji i miratuar në vitin 2024 për zonat e mbrojtura, i cili, sipas aktivistëve, ka hapur rrugën për ndërhyrje dhe projekte ndërtimi në territore që më parë gëzonin mbrojtje të rreptë ligjore.
Protestuesit paralajmëruan vijimin e reagimeve qytetare nëse institucionet nuk ndërhyjnë për të ndalur projektet dhe për të garantuar mbrojtjen e mjedisit.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



