“Më verbove,”si u vra Edoardo Sarchi në rrugë për dritat e gjata
Është zbardhur dinamika e plotë e vrasjes së biznesmenit italian Edoardo Sarchi, ngjarje e ndodhur mbrëmjen e së premtes në fshatin Salari të Tepelenës. Sipas burimeve nga News24, ngjarja ka nisur pas një konflikti banal për dritat e gjata të makinës, por përfundoi tragjikisht me një viktimë dhe një person në kërkim.
Konflikti nisi në rrugë, për dritat e makinës
Sipas hetimeve paraprake, Gazmend Braçi, bashkë me tre shokë, kishte marrë përkohësisht makinën e një çobani nga zona dhe kishte dalë për gjueti. Gjatë rrugës, janë përballur me Kamber Sulçajn – banor i zonës, i cili kishte një fermë mes fshatrave Nivicë dhe Bolenë dhe po udhëtonte me automjetin e tij.
Pikërisht në momentin kur mjetet u shkëmbyen në rrugë të ngushtë, ka ndodhur edhe përplasja e parë verbale. Sulçaj akuzoi Bracin për dritat e gjata që e kishin “verbuar dhe hedhur në kanal”.
“Më verbove, më hodhe në kanal”, thuhet se i ka thënë ai, duke shoqëruar fjalët me fyerje dhe kërcënime.
Përndjekje, breshëri plumbash dhe një viktimë
Pas këtij debati, Sulçaj ka ndjekur nga pas makinën ku ndodheshin Braci dhe miqtë e tij, madje i ka parakaluar. Në afërsi të fshatit Salari, në vendin e quajtur Qafa e Dilanit, makina e Bracit pësoi defekt dhe mbeti në mes të rrugës.
Gazmend Braci ka njoftuar babain e tij, Eqerem Braci, që të vinte për ndihmë. Ndërkohë, edhe biznesmeni italian Edoardo Sarchi është nisur drejt vendit me makinën e tij.
Kur të dy mjetet mbërritën në vendngjarje, mbi ta u qëllua me armë zjarri. Fillimisht, janë goditur gomat e makinës për të penguar lëvizjen. Itali Sarchi ka marrë një plumb fatal, ndërsa më pas, për më shumë se 15 minuta, është qëlluar pa ndërprerje drejt automjeteve, duke mos u lënë asnjë mundësi për të reaguar apo shpëtuar.
Sulçaj në arrati, zbulohet çanta me pajisje ushtarake dhe para cash
Pas krimit, Kamber Sulçaj është larguar me mjetin e tij dhe është zhdukur në një zonë të thellë malore mes fshatrave Nivicë dhe Bolenë. Hetuesit besojnë se ai ka fshehur aty makinën dhe rrobat që ka përdorur gjatë ngjarjes.
Pranë vendngjarjes u gjet një çantë me pajisje të dyshimta, ku përfshiheshin:
Dylbi me rreze infra
Dylbi termike
Mbajtëse për armë
Elektrik dore
Këto pajisje ngrenë dyshime se Sulçaj ishte i përgatitur dhe i pajisur me mjete ushtarake ose gjuetie profesionale.
Ndërkohë, në banesën e tij në Mesaplik janë sekuestruar:
2.5 milion lekë cash
Dy kasaforta të mbyllura
Armë gjahu
Autoritetet kanë shpallur në kërkim Kamber Sulçajn si autor të dyshuar të ngjarjes, ndërsa operacioni për kapjen e tij është ende në vijim.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



