E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Mediat ndërkombëtare: Nëse marrëveshja zbatohet,  Beogradin nuk mund ta bllokojë Kosovën drejt OKB-së
Bota

Mediat ndërkombëtare: Nëse marrëveshja zbatohet, Beogradin nuk mund ta bllokojë Kosovën drejt OKB-së

Ohri, qyteti i pasur me shtëpi dhe monumente piktoreske u bë dje nikoqir i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, të cilët nën ndërmjetësimin e Bashkimit Europian dhe me intervenimin e Shteteve të Bashkuara arritën një marrëveshje të panënshkruar për zbatimin e propozimit europian, për të cilin ishin pajtuar në takimin e 27 shkurtit.

Gazetarë jo vetëm nga Kosova dhe Shqipëria, por edhe nga rajoni e bota ishin dje në Maqedoninë e Veriut për ta përcjellur këtë ngjarje. Mediat e mëdha botërore si agjencia ndërkombëtare e lajmeve, Reuters, agjencia amerikane e lajmeve, Associated Press, e gazeta e njohur amerikane, Washington Post, kanë raportuar për takimin dhe marrëveshjen e arritur. Ato theksojnë rrugën e dy vendeve drejt BE-së, zotimin e Brukselit për organizimin e një konference donatore për investime, si dhe mundësinë që Kosova të aspirojë për t’u anëtarësuar në OKB.

“Serbia dhe Kosova arrijnë marrëveshje për zbatimin e marrëveshjes së mbështetur nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve”, është titulli i Reuters, që shpjegon se të dyja vendet janë në bisedime për gati 10 vjet.

Pasi raportohet për deklaratat e liderëve pas takimit, agjencia e lajmeve shkruan se në aneksin për zbatimin e marrëveshjes të publikuar të shtunën në mbrëmje, BE-ja u zotua që brenda 150 ditëve të organizojë një konferencë donatore për të krijuar një paketë ndihme investimesh dhe financiare për Kosovën dhe Serbinë.

Image

Associated Press, ndërkaq, e titulloi kështu: “Serbia dhe Kosova bien dakord se si ta zbatojnë planin e BE-së, thotë i dërguari”.

Duke treguar se si Kurti dhe Vuçiq u pajtuan muajin e kaluar për propozimin 11-pikësh të BE-së për normalizimin e marrëdhënieve mes tyre, AP shkruan se tani të dyja vendet shpresojnë të anëtarësohen në BE.

Të dy vendet shpresojnë të anëtarësohen në Bashkimin Europian një ditë dhe atyre u është thënë se fillimisht duhet t’i përmirësojnë marrëdhëniet e tyre. Zgjidhja e mosmarrëveshjes midis Serbisë dhe Kosovës është bërë më e rëndësishme teksa lufta në Ukrainë është ndezur dhe frika rritet se Rusia mund të përpiqet të nxisë destabilitetin në Ballkanin e paqëndrueshëm, ku ajo ka ndikim historik, shkruan AP

Më tej shpjegohet se “plani i BE-së kërkon që të dy vendet të mbajnë marrëdhënie të mira fqinjësore dhe t’i njohin dokumentet zyrtare dhe simbolet kombëtare të njëra-tjetrës”.

Image

Nëse zbatohet, do ta parandalonte Beogradin që t’i bllokonte përpjekjet e Kosovës për të kërkuar anëtarësim në Kombet e Bashkuara dhe organizata të tjera ndërkombëtare, shkruan AP, duke theksuar se marrëveshja e hartuar nga Franca dhe Gjermania dhe e mbështetur nga SHBA-ja, nuk kërkon në mënyrë eksplicite njohje reciproke ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Duke e cituar Associated Press, për marrëveshjen raportoi edhe Washington Post.

Image
Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.