Mehdi Malkaj përlot rrjetin, rrëfen betejën e djalit me drogën
Aktori Mehdi Malkaj ka ndarë publikisht një nga përballjet më të dhimbshme dhe më të gjata të jetës së tij: luftën e djalit me varësinë nga droga. Pa tone dramatike dhe pa u paraqitur si viktimë, ai ka folur thjesht, si një baba që ka kaluar nëpër një betejë ku asgjë nuk ishte e sigurt.
Në “Grida Duma Podcast”, Malkaj rrëfeu se momenti më i bukur i këtyre viteve nuk lidhet me sukseset në skenë apo role të paharrueshme, por me faktin se djali i tij arriti të fitojë një luftë të vështirë.
“Gjënë time më të bukur sot e kam faktin që u vërtetua se një betejë u fitua nga djali,” shprehet aktori, duke e cilësuar këtë fitore më të madhe se çdo arritje personale apo profesionale.
Ai tregon se djali ishte vetëm 15 vjeç kur u përball për herë të parë me drogën, në një moshë kur pasojat reale të saj nuk kuptohen plotësisht. Sipas Malkajt, varësia është një iluzion i rrezikshëm, një “dashuri e rreme” që të josh dhe të shkatërron ngadalë.
“Adoleshentët bien në dashuri me atë që shohin, jo me atë që është,” thotë ai, duke përshkruar procesin e varësisë si një rrugë që zgjati më shumë seç duhej dhe që la plagë të thella në familje.
Aktori flet hapur për netët pa gjumë, për kërkimet e dëshpëruara nëpër rrugët e Tiranës bashkë me bashkëshorten, për përpjekjen e vazhdueshme për të qenë pranë djalit jo si prind autoritar, por si shok. Një rrugë e lodhshme, e mbushur me frikë dhe pasiguri, ku çdo ditë ishte një provë e re.
Një nga momentet më prekëse të rrëfimit lidhet me rolin e motrës. Dashuria dhe përkushtimi i saj, sipas Malkajt, u kthyen në një burim të fortë shprese dhe shërimi për djalin.
“Ai tani është gjithë jetë. Ka sjellë dritë, gëzim dhe hare në shtëpi,” thotë aktori, duke kujtuar pushimet e para familjare pas shumë vitesh, ku djali ishte në timon, i qetë, serioz dhe i përgjegjshëm – një pamje që dikur dukej e pamundur.
Në fund të rrëfimit, Mehdi Malkaj jep një mesazh të fortë dhe të rrallë për mënyrën si shoqëria flet për drogën dhe varësinë.
“Mos mallkoni kurrë ‘u paça fëmijët me drogë’. Është një luftë e madhe, shumë e madhe,” thotë ai, duke pranuar se vigjilenca nuk mbaron kurrë, por duke besuar se dashuria, familja dhe koha mund të bëjnë mrekulli.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



