Tenderat e pushtetit: Si “Mektrin Motors” e kunatit të Emiriana Sakos ka kapur shtetin me makinat e policisë, zjarrfikëset dhe minibusët
Një kompani e panjohur deri para pak vitesh, me seli në Xhafzotaj të Durrësit, është shndërruar sot në favoriten absolute të tenderave publikë të Operatorit të Blerjeve të Përqendruara (OBP). Bëhet fjalë për “Mektrin Motors”, një firmë që po i “rrëmben” njëra pas tjetrës kontratat më të mëdha për furnizimin me mjete të Policisë së Shtetit, Doganave, ARRSH-së, apo Bashkive, në procedura që dyshohen për favorizim flagrant dhe klientelizëm të strukturuar.
Në tenderin e makinave të policisë, ku më shtrenjtë rezultoi për t’i marrë me qira sesa që t’i blinin. Fitues doli firma nga Xhafzotaj, në një lot, me vlerë mbi 2 milionë euro. Madje, për të parrë një makinë me qira shteti do paguante 34 mijë euro për 4 vite, ndërkohë që koncesionarët e tjerë kanë makina të ngjashme për shitje në vlerën e 18 apo 20 mijë eurove.
Ndërkohë, disa ditë më pas, e njëjta firmë mori rreth 800 mijë euro për të blerë disa zjarrfikëse. Madje, skualifikon të gjithë pjesëtarët e tjerë që morën pjesë në këtë procedurë, duke përfshirë edhe firmën shqiptare “TIMAK”. Pa dashur që t’i bëjmë reklamë, firma në fjalë prodhon zjarrfikëse për një mori shtetesh europiane, me të gjitha pajisjet. Disa ditë më parë dërgoi në Ukrainë dhjetëra autoambulanca, ndërsa ka prodhuar edhe makinën e parë shqiptare ushtarake “Made in Albania”, të emëruar “Shota”.

Faksimile: Njoftimi i fituesit i OBP për tenderin e blerjeve të zjarrfikëseve
Tenderin e ka marrë oferta më e ulët, por mbetet shumë i dyshimtë skualifikimi i të gjithë firmave të tjera për të kualifikuar Mektrin.
Në datën 3 korrik Operatori i Blerjeve të Përqëndruara ka shpallur fituesin e tenderit “blerje zjarrfikëse dhe automjete shërbimi Pick Up për ARRSH”, me afat zbatimi brenda 180 ditëve nga data e nënshkrimit të kontratës. Mori pjesë firma “ARTEO 2018” me vlerë 87 milionë lekë, “MEKTRIN MOTORS” me vlerë 80 milionë lekë, “SPARKLE 32” me vlerë 99 milionë lekë, “START CO” me vlerë 96 milionë lekë, firma “TIMAK” me vlerë 84 milionë lekë.
Ndërkohë, në të njëjtin dokument shkruhet se “TIMAK” është skualifikuar për shkak se “s’ka autorizim nga prodhuesi ose nga distributori për llojin e mjetit të ofruar”. Sipas Operatorit, “TIMAK” s’ka sjellë autorizim nga prodhuesi i mjetit japonez “ISUZU”. Gjithashtu, firma shkruan OBP, duhet të paraqesë katalog ose skedë teknike. Një tjetër arsye e skualifikimit të firmës “TIMAK” që prodhoi edhe mjetin ushtarak “Shota” është se duhet të paraqiste dëshmi për furnizimet e mëparshme të kryera gjatë 3 viteve në vlerën jo më pak se 40 % e vlerës së fondit
limit të kontratës. Firma dërgoi disa kontrta me Bashkinë e Tiranës, e Bashkinë e Kukësit si dhe disa kontrata me firma private, por nuk e kaloi “pragun”.
Duket se, dokumentet standarde i përshtateshin vetëm një firme, asaj fituese “Mektrin Motors”. Kjo për shkak se është skualifikuar edhe firma “SPARKLE 32” pasi s’ka xhiro vjetore aq sa vlera e tenderit apo s’ka furnizime të ngjashme. Me të njëjtën arsye për furnizimet e ngjashme, u skualifikua edhe “ARTEO 2018”.

Faksimile: Njoftimi i fituesit të tenderit nga OBP për tenderin e blerjeve të minibusëve për Doganat
Në të njëjtën ditë me shpalljen e fituesit të tenderit të mësipërm, OBP shpalli të njëjtën firmë “Mektrin” fituese të një tjetër procedure. “Mejtrin” fitoi procedurën me objekt “blerje minibusa për DPD dhe automjet për AKDC, e ndarë në 2 (dy) lote.
Bëhet fjalë për lotin e parë “blerje minibusa për Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave”, me fond limit të lotit 13.320.000 lekë pa TVSH, me afat zbatimi brenda 45 ditëve nga dita e nënshkrimit të kontratës.
Por më shumë sesa një kompani e suksesshme, “Mektrin Motors” është një histori tipike e asaj që ndodh kur politika dhe familja bëhen një:
Pronar i kompanisë është kunati i Emiriana Sakos, kryebashkiake e Durrësit dhe një nga figurat më të afërta me kryeministrin Edi Rama.
“Mektrin”, dashuria e re e tenderave shtetërorë
Brenda pak muajsh, firma është shpallur fituese në disa procedura të rëndësishme:
- Tenderi për makinat e policisë, ku shteti do paguajë 34 mijë euro për një makinë me qira për 4 vite – një kosto që tejkalon edhe blerjen e një makine të re.
- Tenderi për zjarrfikëse, ku “Mektrin” fitoi përballë kompanive me përvojë shumëvjeçare ndërkombëtare si “TIMAK”, e cila prodhon mjete për BE-në dhe dërgon ndihma në Ukrainë.
- Tenderi për minibusë për Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave, ku “Mektrin” fitoi me ofertën thuajse të plotë, duke i “dhuruar” shtetit vetëm një “bakshish” prej 480.000 lekësh nga fondi limit.
Tender pas tenderi me emër të paracaktuar?
Në të gjitha rastet, dokumentacioni teknik dhe kriteret e vendosura në tenderat e OBP kanë qenë të tilla që përjashtojnë çdo konkurrent tjetër, me përjashtim të “Mektrin”. Firma të mëdha si Porsche Leasing, Albania Motor Company, Sparkle 32 apo Timak, janë skualifikuar për arsye burokratike, ndërsa “Mektrin” ka kaluar pa problem edhe kur ka ofruar çmim më të lartë se konkurrentët.
Në tenderin e zjarrfikëseve për ARRSH, firma TIMAK u skualifikua sepse “nuk kishte autorizim nga prodhuesi ISUZU”. Ndërkohë që TIMAK prodhon vetë mjete zjarrfikëse dhe ushtarake “Made in Albania”, të eksportuara në Evropë dhe Ukrainë!
Në praktikë, çdo herë që “Mektrin” hyn në tender – të tjerët “bëjnë krahun”. Madje në qarqet e OBP-së, burime konfidenciale thonë: “Kur hyn Mektrin, rrini urtë. E ka emrin me laps që ditën e shpalljes.”
Si u kthye OBP në noter të tenderave të Mektrin Motors
Operatori i Blerjeve të Përqendruara, që në teori duhet të garantojë konkurrencë dhe transparencë për tenderat shtetërorë, në praktikë po sillet si garant i interesave të firmave të lidhura me pushtetin.
Në dokumentet që ka siguruar Publik.al, rezulton se OBP:
- Skualifikon çdo firmë që nuk përputhet me “rregullin e lojës” të përshtatur për “Mektrin”.
- Përdor klauzola teknike të dizajnuara që firma të caktuara të mos arrijnë të kalojnë fazat paraprake.
- Hesht ndaj çmimeve të fryra dhe ofertave fiktive, si në rastin e makinave me qira për Policinë e Shtetit.
Emri që i jep “imunitet” firmës fituese: Kunati i kryebashkiakes Sako
Nuk është rastësi që kjo firmë ka lulëzuar pikërisht në qeverisjen e rilindjes. Nuk është rastësi që zyra e saj ndodhet në Xhafzotaj të Durrësit. Nuk është aspak rastësi që pronar i saj është kunati i kryetares së Bashkisë Durrës, Emiriana Sako.
Emiriana Sako, një nga figurat më të përkëdhelura nga kryeministri Rama dhe një nga mbrojtëset e vijës së partisë në qeverisjen lokale, është garantuesja informale që “Mektrin” nuk do preket nga askush – as nga SPAK, as nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, e as nga konkurenca.
Kjo nuk është ekonomi tregu. Është ekonomi familjare.
Kur tenderat shumëmilionësh jepen për kunatin e kryetares së bashkisë, ndërsa firmat me përvojë ndërkombëtare skualifikohen për shkronja, kjo nuk është më abuzim. Është tallje me ligjin.
Kur një makinë jepet me qira për 34 mijë euro, ndërkohë që blihet për 20 mijë, nuk është ofertë. Është grabitje.
Kur në çdo tender, del fituese një firmë me lidhje të qarta politike dhe familjare, kjo nuk është konkurrencë. Është klientelë.
Publik.al kërkon hetim urgjent nga SPAK dhe Prokuroria e Posaçme
Ky është një rast flagrant i kapjes së tenderave publikë përmes rrjetit të familjes dhe partisë. Publik.al i bën thirrje SPAK që të nisë hetimin penal për këtë skemë të dyshuar korrupsioni, për të shqyrtuar:
- Lidhjet direkte mes pronarëve të firmës dhe zyrtarëve shtetërorë.
- Procedurat e përdorura nga OBP në skualifikimin e konkurentëve.
- Dëmin financiar të shkaktuar buxhetit të shtetit nga ofertat e fryra.