Mesazh i fortë nga SHBA në Tiranë: Krimi po destabilizon shtetet!
SPAK, BKH dhe Akademia e Sigurisë, në fokus të Uashingtonit
E Ngarkuara me Punë e Ambasadës Amerikane në Tiranë, Nancy VanHorn, ka përcjellë një mesazh të qartë dhe të fortë në fushën e sigurisë gjatë ceremonisë përmbyllëse të një trajnimi të drejtuar nga FBI për hetuesit e SPAK dhe BKH, i zhvilluar në ambientet e Akademisë së Sigurisë.
Gjatë fjalës së saj, diplomatja amerikane iu referua qëndrimit të Sekretarit të Shtetit të SHBA-së, Marco Rubio, duke theksuar se rrjetet ndërkombëtare të krimit të organizuar dhe terrorizmit, veçanërisht ato të lidhura me trafikun e narkotikëve, përbëjnë sot rrezikun më serioz për sigurinë e Shteteve të Bashkuara në Hemisferën Perëndimore.
VanHorn nënvizoi se këto struktura shkojnë përtej veprimtarisë kriminale, pasi ndikimi i tyre destabilizon shtetet, minon institucionet dhe nxit valë të mëdha emigracioni, duke prodhuar pasoja të drejtpërdrejta edhe për sigurinë amerikane.
Në këtë kontekst, ajo bëri të qartë se SHBA do të vijojë të zbatojë në Shqipëri prioritetet e administratës amerikane, duke mbështetur në mënyrë konkrete institucionet që janë në vijën e parë të luftës kundër krimit të organizuar dhe trafikut të drogës. SPAK, Byroja Kombëtare e Hetimit dhe Akademia e Sigurisë u cilësuan si hallka kyçe të këtij angazhimi strategjik.
Diplomatja theksoi gjithashtu se bashkëpunimi me FBI-në dhe agjencitë e tjera ligjzbatuese amerikane do të vijojë të thellohet, duke e bërë të qartë se mbështetja e Uashingtonit për drejtësinë shqiptare nuk është simbolike, por afatgjatë dhe e orientuar drejt rezultateve.
Dhe siç tha Sekretari Rubio, organizatat ndërkombëtare kriminale dhe terroriste, veçanërisht ato të angazhuara në trafikimin e narkotikëve, janë kërcënimi më i madh për sigurinë e Shteteve të Bashkuara në Hemisferën Perëndimore, ku këto grupe po destabilizojnë shtet-kombet dhe po i çojnë në emigrim masiv. Ne do të ndjekim me këmbëngulje prioritetet e Presidentit Trump në Shqipëri, duke forcuar institucionet që luftojnë krimin e organizuar dhe trafikun e narkotikëve si SPAK, BKH dhe Akademia e Sigurisë.”, tha e Ngarkuara me Punë Nancy VanHorn në ceremoninë e mbylljes së trajnimit të udhëhequr nga FBI për hetuesit e SPAK dhe BKH në Akademinë e Sigurisë, duke e bërë të qartë se mbështetja amerikane për institucionet shqiptare të drejtësisë nuk është simbolike, por strategjike.
Mesazhi i VanHorn vjen në një periudhë të ndjeshme për sistemin e drejtësisë në Shqipëri, ku SPAK dhe BKH përballen me presione të vazhdueshme politike dhe mediatike, ndërkohë që nga Uashingtoni sinjalet mbeten të qarta: lufta kundër krimit të organizuar në vend konsiderohet një prioritet i drejtpërdrejtë për Shtetet e Bashkuara.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



