Dyshime për grupim fetar të paligjshëm online në Tiranë
Doli pikërisht ajo që ishte dyshuar. Mësuesi i gjuhës angleze, Dritan Zaimi, i cili jepte mësim në shkollën “Gustav Mayer” në Tiranë, rezulton të jetë pjesë e një grupimi fetar online të panjohur ligjërisht nga shteti shqiptar, i drejtuar nga e vetëshpallura pastore Alketa Auer.
Sipas një hulumtimi të publikuar nga gazetarja Kristi Gongo në Top Channel, Zaimi rezulton të jetë “nxënës” i Auer në të ashtuquajturën “Kisha Online Ndërkombëtare”, një strukturë që operon në internet dhe që nuk ka asnjë status zyrtar si komunitet fetar i njohur në Shqipëri.
Hetimi tregon se njohja mes mësuesit dhe pastores daton që në vitet ’90, por bashkëpunimi i tyre është rishfaqur në vitin 2020, kohë nga e cila dyshohet se ka nisur edhe përfshirja më aktive në aktivitetin fetar online. Sipas materialeve të transmetuara, fokusi i predikimit në disa raste ka përfshirë edhe fëmijë të arsimit fillor.
Në raportimet mediatike janë publikuar dëshmi prindërish që pretendojnë se 51-vjeçari u fliste nxënësve për fenë gjatë orëve mësimore, ndërsa në disa raste fëmijët kishin marrë si “detyrë shtëpie” urdhërimet e Zotit, të cilat më pas vlerësoheshin me nota maksimale. Fillimisht u përfol për lidhje me Dëshmitarët e Jehovait, por nga verifikimet rezulton se grupimi në fjalë nuk ka asnjë lidhje me këtë komunitet fetar të njohur.
Postimet publike të Zaimit në rrjetet sociale tregojnë se ai i referohet figurës së Jezusit me emërtimin hebraik “Yahushua”, një rrymë që ndërthur elementë të krishterimit me terminologji judaike. Në disa prej mesazheve të publikuara online, ai përdor tone apokaliptike dhe paralajmërime për ndëshkim ndaj atyre që nuk besojnë.
Në një nga postimet e tij lexohet: “OSE DO T’I NDËNSHTROHENI BIRIT, OSE DO TË SHKATËRROHENI. MOS VDIS PA PRANUAR YAHUSHUA HAMASHIASCH”.
Përveç veprimtarisë virtuale, grupimi zhvillon takime fizike pranë rrugës “Aleksandri i Madh” në zonën e Astirit në Tiranë. Sipas raportimeve, aty organizohen mbledhje fetare, evente masive me pretendime për shërime të të sëmurëve dhe ceremoni pagëzimi, ku në disa raste janë përfshirë edhe fëmijë.
Çështja ngre pikëpyetje serioze mbi kufirin mes besimit personal dhe aktivitetit fetar në institucione arsimore publike, si dhe mbi funksionimin e grupeve fetare të paregjistruara në vend. Institucionet përkatëse pritet të verifikojnë nëse ka pasur shkelje të ligjit për arsimin parauniversitar apo të legjislacionit mbi komunitetet fetare.







