E hënë, 19 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Metoda speciale e SPAK që nxorri zbuluar ‘të pastrehën’ e AKSHI-t
Lajme

Metoda speciale e SPAK që nxorri zbuluar ‘të pastrehën’ e AKSHI-t

481 netë nën monitorim

Si u zbulua apartamenti luksoz i  Mirlinda Karçanajt në Tiranë

Një metodë hetimore e avancuar ka rezultuar vendimtare për SPAK në zbardhjen e një prej elementeve kyçe të dosjes së AKSHI, që lidhet me ish-drejtoreshën Mirlinda Karçanaj. Hetimet kanë çuar në identifikimin e një apartamenti luksoz në Tiranë, i dyshuar si pasuri e padeklaruar.

Sipas materialeve hetimore, Byroja Kombëtare e Hetimit (BKH) ka analizuar në detaje të dhënat telefonike të Karçanajt për një periudhë gati dyvjeçare, nga 2 shkurti 2024 deri më 29 janar 2026. Fokus i analizës kanë qenë tabulatet dhe qelizat e telefonisë celulare, për të ndërtuar një hartë të saktë të lëvizjeve të saj, veçanërisht gjatë orëve të natës.

Nga të dhënat rezulton se për 214 netë telefoni i saj ka qenë i lidhur me antenën në qendër të Tiranës (Cell ID 25392938), ndërsa për 267 netë me antenën pranë zonës së ABA Center (Cell ID 25420164). Kjo shpërndarje ka ndihmuar hetuesit të identifikojnë ndryshimet në vendqëndrimin e saj.

Një element i rëndësishëm ka qenë analiza e “qelizës së fundit para heshtjes”, që tregoi se deri në fund të vitit 2024, dominonte qëndrimi në zonat TWIN TOWERS, TIRANA CNR dhe TIRANA INTERNATIONAL HOTEL. Pas kësaj periudhe, vihet re një rritje e ndjeshme e pranisë në zonën e ABA Center.

Hetimi ka përcaktuar edhe momentin e parë dhe të fundit të shfaqjes së kësaj antene gjatë natës: më 26 dhjetor 2024, ora 23:43 dhe më 28 janar 2026, ora 21:40.

Të dhënat teknike janë kombinuar edhe me dëshminë e shoferit të Karçanajt, i cili ka deklaruar se fillimisht ajo qëndronte në një banesë përballë Bankës së Shqipërisë, në qendër të Tiranës. Sipas tij, në fund të dhjetorit 2024 ajo u zhvendos në një apartament luksoz pranë stadiumit Air Albania Stadium.

Pikërisht kjo zhvendosje e vendqëndrimit gjatë natës ka orientuar hetuesit drejt identifikimit të një prone të dyshuar si pasuri e fshehur në këtë zonë, e cila nuk rezulton e deklaruar.

Në përfundim të analizës, SPAK vlerëson se modeli i qëndrimit territorial përqendrohet në trekëndëshin urban TWIN TOWERS – TIRANA CNR – ABA CENTER, duke përforcuar dyshimet për ekzistencën e pasurive të padeklaruara në këtë zonë.

Nga hetimet rezulton se Mirlinda Karçanaj zotëron disa pasuri në Tiranë, si dhe një vilë në kompleksin Laguna Blu në Qerret, e cila dyshohet se është përfituar përmes skemave të ndërlikuara me persona të besuar, përfshirë edhe emrin e Gentian Beqirit.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.