Kreu i Prokurimeve Publike thirret në SPAK për skandalin e Unazës së Madhe, hesht përballë mediave
Një nga skandalet më të mëdha të dekadës së fundit në fushën e tenderimeve publike po merr përmasa të reja, ndërsa drejtuesi i Komisionit të Prokurimit Publik, Jonaid Myzyri, është paraqitur për të dytën herë në SPAK, nën dyshimet për shkelje flagrante që kanë sjellë miliona euro dëme në financat publike.
Myzyri, i cili drejton institucionin që në praktikë funksionon si “gjykata” që vendos fatin e tenderëve në Shqipëri, është pyetur për afro dy orë nga prokurorët e posaçëm lidhur me rolin dhe vendimmarrjet e Komisionit të Prokurimit Publik në tenderin gjigand të Unazës së Madhe në Tiranë – një procedurë e mbushur me kontestime, akuza për klientelizëm, manipulime dhe shkelje të rënda të ligjit.
Burime bëjnë me dije se SPAK ka vënë në shënjestër vendimet e KPP-së që mund të kenë ndikuar direkt në favorizimin e kompanive të caktuara dhe në dëmtimin e konkurrencës së ndershme. Dyshohet se Komisioni i drejtuar nga Myzyri, në vend që të ushtronte kontroll dhe transparencë mbi procedurat, ka legjitimuar parregullsitë dhe i ka hapur rrugë abuzimeve me fondet publike.
Pavarësisht se është një nga funksionarët më të rëndësishëm në sistemin e prokurimeve, Jonaid Myzyri zgjodhi të heshtë përpara gazetarëve në përfundim të seancës së pyetjeve. Asnjë koment, asnjë përgjigje për publikun që kërkon llogari për abuzimet me taksat e tyre.
Kjo është hera e dytë që Myzyri thirret nga SPAK – hera e parë ishte në shkurt 2024 – një sinjal alarmi për një institucion që në vend të garantojë integritetin e prokurimeve, ka shndërruar veten në mburojë të aferave korruptive.
SPAK është duke hetuar procedurat e tenderave përgjatë viteve 2020-2023 pasi ka dyshime të forta se janë zhvilluar pa garë, pasi në shumë raste rezulton pjesëmarrëse vetëm një kompani, e në rast të tjera, shoqëritë janë skualifikuar në mënyrë të padrejtë.
Në kuadër të hetimit, SPAK ka urdhëruar më herët sekuestrimin e një sërë procedurave, ndërsa Kontrolli i Lartë i Shtetit gjatë një auditimi ka dalë në konkluzionin se dëmi ekonomik i shkaktuar nga abuzimet me tenderat kap vlerën e 2 miliardë e 550 milionë eurove.
Njëherazi SPAK po heton edhe zyrtarë të Komisionit të Prokurorimit Publik lidhur me koncesionin e sterilizimit.
Nëse SPAK synon me të vërtetë të godasë korrupsionin sistemik, nuk mund të anashkalojë përgjegjësinë direkte të Komisionit të Prokurimit Publik dhe drejtuesve të tij, që me firmën dhe vulën e tyre kanë bërë të mundur vjedhjen e miliona eurove nga projektet madhore publike si Unaza e Madhe. Heshtja e Myzyrit nuk është veçse një dëshmi e frikës përballë së vërtetës. Por publiku kërkon drejtësi, jo heshtje.