Miliona euro nga kokaina në Shqipëri, dosja e SPAK zbardh skemën
2 milion euro të pista hynë nga porti i Vlorës, u dorëzuan tek Exchange përballë Bankës së Shqipërisë
Detaje të reja kanë dalë nga dosja hetimore e Prokurorisë së Posaçme (SPAK) në lidhje me grupin kriminal të goditur disa javë më parë, duke hedhur dritë mbi një skemë të dyshuar të qarkullimit dhe pastrimit të parave të përfituara nga aktiviteti i paligjshëm.
Sipas materialeve të administruara nga hetuesit, në fokus janë komunikimet e realizuara përmes aplikacionit të enkriptuar Sky ECC, ku anëtarë të grupit diskutojnë për transportimin e shumave të konsiderueshme monetare drejt Shqipërisë. Dyshohet se këto para burojnë nga trafikimi i kokainës dhe futeshin në territorin shqiptar të fshehura në automjete që mbërrinin me tragete në Portin e Vlorës.
Nga të dhënat e dosjes rezulton se në një bisedë të zhvilluar në janar të vitit 2021, personi nën hetim Ardian Zykaj komunikon me persona të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet për mbërritjen e dy ngarkesave me para përmes rrugës detare.
Sipas përmbajtjes së komunikimeve, bëhet fjalë për rreth 2 milionë euro në total. Konkretisht, përmenden dy dërgesa prej 1 milion eurosh secila. Në bisedë llogaritet edhe kostoja e transportit, e cila është 2%, duke bërë që për çdo ngarkesë të mbeten rreth 980 mijë euro, ndërsa shuma totale arrin në rreth 1 milion e 960 mijë euro.
Një element që ka tërhequr vëmendjen e hetuesve lidhet me destinacionin përfundimtar të këtyre parave. Nga komunikimet e zbardhura, një prej pjesëmarrësve udhëzon që shumat të dorëzohen në një pikë këmbimi valutor (exchange) në Tiranë. Në bisedë përmendet konkretisht: “Adresa është tek ‘Dollari’”, ndërsa më pas personat konfirmojnë mbërritjen pranë vendit të caktuar dhe koordinojnë dorëzimin e shumave.
Sipas dyshimeve të SPAK, exchange-i i vendosur përballë Bankës së Shqipërisë mund të jetë përdorur si një hallkë në skemën e pastrimit të parave të përfituara nga aktiviteti kriminal i lidhur me narkotikët.
Kjo pistë është tashmë pjesë e hetimeve në vijim, ndërsa organi i akuzës po verifikon rolin e mundshëm të personave dhe subjekteve të përfshira në qarkullimin dhe legalizimin e këtyre shumave.
Hetimet synojnë të dokumentojnë në mënyrë të plotë të gjithë zinxhirin e dyshuar kriminal, që nga transportimi dhe futja e parave në territor, deri te dorëzimi dhe përdorimi i tyre në struktura që mund të kenë shërbyer për pastrim parash.
Biseda e zbardhur nga Sky ECC (Janar 2021):
Personi 1: Lale, këtu në grup chat të gjitha. Shkruaj këtu në grup chat.
Personi 2: Ku t’i çoj lekët?
Personi 1: Të thotë shoku që është këtu në grup chat. Lekët do t’i dorëzoni në një pikë exchange në Tiranë.
Personi 2: Ok, nesër në rregull.
Personi 1: Nesër vijnë në Vlorë 1 milion euro. Me 2% transporti i bie 980 mijë euro. Edhe një ngarkesë tjetër i bie 980 mijë euro.
Personi 1: Pra, në total janë 1 milion e 960 mijë euro për t’u çuar në transfer te exchange-i në Tiranë.
Personi 2: Sapo u fut trageti në port. Besoj për një orë i marr gjërat dhe nisem. Më çoni pastaj adresën.
Personi 1: Adresa është tek “Dollari”.
Personi 2: Ok vëlla, kur të jem atje të të them.
Personi 2: Unë erdha tek “Dollari”. Ja sa të më përgjigjet dhe të më orientojë.
Personi 2: Tek posta jam, me një Golf.
Personi 1: Do t’i numëroni lekët.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



