Miliona euro nga mbetjet spitalore, në lojë edhe Klodian Allajbeu
Në Shqipëri, sipas të dhënave të Agjencisë Kombëtare të Mjedisit, aktualisht 16 kompani zotërojnë leje mjedisore për trajtim dhe transport të mbetjeve të rrezikshme spitalore.
Megjithatë, vetëm katër prej tyre marrin rregullisht tendera nga spitalet publike kryesore në vend:
Eco Riciklim, V.A.L.E Recycling, Medi-Tel dhe Pura Medical.
Eco Riciklim – mbi 6 milionë euro nga thesari i shtetit
Nga viti 2019 deri në vitin 2025, Eco Riciklim ka përfituar rreth 614 milionë lekë të reja (afro 6 milionë euro) për menaxhimin e mbetjeve spitalore.
Kjo kompani ka kontrata me disa institucione shëndetësore, përfshirë Spitalin e Traumës, QSUT “Nënë Tereza”, Spitalin Obstetrik-Gjinekologjik “Mbretëresha Geraldinë”, si dhe qendra të kujdesit shëndetësor parësor.
Vetëm nga Qendra Spitalore “Xhafer Kongoli” në Elbasan, kompania ka fituar 13 tendera, ndërsa 10 të tjerë nga Spitali i Traumës dhe 9 nga “Geraldina”.
Sipas Open Data, nga 77 tendera të fituar në total, 48 janë me “flamur të kuq”, pra me risk të lartë korrupsioni apo mungesë konkurrence.
Tenderi më i madh i dhënë nga QSUT më 20 shkurt 2025, me vlerë 142 milionë lekë për “trajtim dhe asgjësim të mbetjeve spitalore”, është zhvilluar me vetëm një operator në garë.
Një tjetër tender nga Spitali i Traumës, me vlerë 138 milionë lekë dhe afat 4-vjeçar, ka ndjekur të njëjtën skemë.
Sipas të dhënave në QKB, Eco Riciklim administrohet nga Ervin Meçe (30% kuota), ndërsa kompania “ANA Mark” zotëron 70% të aksioneve.
Kjo e fundit është në pronësi të biznesmenit Klodjan Allajbeu, pronar i Spitalit Amerikan, duke ngritur dyshime për lidhje të mundshme biznesi ndërmjet rrjetit privat dhe kontratave publike.
“Kur mbetjet spitalore grumbullohen deri përtej mureve të spitaleve, problemi është i thellë dhe i dukshëm. Nuk ka nevojë për hetime të gjata për ta parë këtë,” deklaron mjeku infeksionist Ilir Alimehmeti.
Medi-Tel – 121 tendera dhe 46 me risk të lartë
Kompania Medi-Tel ka përfituar rreth 28 milionë lekë nga kontratat për menaxhimin e mbetjeve spitalore në periudhën 2019–2025, duke fituar 121 tendera në total.
QSUT kryeson me 14 tendera, ndjekur nga Spitali “Shefqet Ndroqi” me 13 dhe Spitali Rajonal i Durrësit me 12.
Nga këto, 46 procedura janë shënuar me flamur të kuq, për shkak të mungesës së konkurrencës.
Në një rast, spitali i Shkodrës më 2022 i dha Medi-Tel një kontratë me vlerë 2.3 milionë lekë pa TVSH, ku kompania ishte e vetme në garë.
V.A.L.E Recycling – skandal me dokumente të falsifikuara
Kompania V.A.L.E Recycling, në pronësi të Elvis Mirit, është përfshirë në një çështje gjyqësore për përdorim dokumentesh të falsifikuara gjatë tenderave publikë.
Hetimet treguan se kompania nuk zotëronte pajisjet teknologjike për trajtimin e mbetjeve spitalore, ndonëse në dokumente deklaronte të kundërtën.
Dyshohet se të paktën 30 tendera, me vlerë totale 65 milionë lekë, janë fituar në këtë mënyrë.
Pajisja “Econos TSC 150”, që kompania pretendonte ta kishte në përdorim që prej vitit 2016, rezulton e blerë vetëm në fillim të vitit 2024.
Megjithëse nën hetim, “VALE Recycling” ka vazhduar të arkëtojë miliona lekë nga thesari.
Nga viti 2019 deri në 2025, shifra totale e përfituar arrin 487 milionë lekë të reja (rreth 4.9 milionë euro).
Në total, kompania ka fituar 72 kontrata publike, prej të cilave 21 janë klasifikuar me flamur të kuq.
“Kur institucionet mbyllin sytë dhe nuk reagojnë ndaj abuzimeve të dukshme, bëhen pjesë e problemit,” shton mjeku Alimehmeti.
Pura Medical – kontrata të shumta, por edhe penalitete
Edhe kompania Pura Medical ka përfituar rreth 50 milionë lekë të reja nga buxheti i shtetit në periudhën 2019–2025.
Vetëm për mbetjet spitalore, ajo ka 12 kontrata me spitale si QSUT, Shefqet Ndroqi, Spitali i Durrësit dhe Spitali i Korçës.
Dy prej tenderave janë me flamur të kuq, përkatësisht në Sarandë dhe Berat.
Inspektimet e Agjencisë Kombëtare të Mjedisit
Sipas përgjigjes zyrtare nga Agjencia Kombëtare e Mjedisit, në këto vite janë kryer disa inspektime ndaj subjekteve që operojnë me mbetje spitalore:
-
Medi-Tel – inspektuar 3 herë (2023–2025)
-
V.A.L.E Recycling – inspektuar 11 herë, një gjobë dhe një pezullim aktiviteti në vitin 2023
-
Eco Riciklim – inspektuar 10 herë, pa masa administrative
-
Pura Medical – inspektuar 3 herë, me një masë gjobë në 2023
Të dhënat tregojnë një treg të përqendruar ku vetëm disa kompani kontrollojnë pjesën më të madhe të kontratave publike për menaxhimin e mbetjeve spitalore, shpesh me mungesë gare dhe risk të lartë abuzimi.
Ndërkohë që institucionet monitoruese flasin për kontrolle dhe masa gjobash, problemi mbetet i dukshëm, siç e theksojnë ekspertët e shëndetit publik: mbetjet spitalore vazhdojnë të jenë një rrezik i hapur mjedisor dhe shëndetësor, përballë të cilit përgjegjësit heshtin./Insidestory
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



