Ministri i Jashtëm i Izraelit zbarkon në Tiranë, zbardhen detajet
Ministri i Jashtëm i Izraelit, Gideon Sa’ar, mbërrin sot në Tiranë për një vizitë zyrtare, gjatë së cilës pritet të nënshkruhen marrëveshje ndërqeveritare mes Shqipërisë dhe Izraelit në disa fusha bashkëpunimi.
Sipas agjendës së parashikuar, Sa’ar do të zhvillojë takime me kryeministrin Edi Rama, kryetarin e Kuvendit, Niko Peleshi, si dhe ministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha.
Vizita synon të thellojë bashkëpunimin mes dy vendeve, veçanërisht në sektorët ekonomikë, teknologjikë dhe strategjikë. Sipas informacionit të publikuar në faqen zyrtare të Ministrisë së Jashtme të Izraelit, marrëveshjet dhe bashkëpunimi me kompani izraelite lidhen me disa fusha, përfshirë tregtinë, sigurinë kibernetike, inovacionin, menaxhimin e burimeve ujore, energjinë, shëndetësinë dhe bujqësinë.
Takimet në Tiranë pritet të shërbejnë si një mundësi për të diskutuar zgjerimin e marrëdhënieve dypalëshe dhe për të konkretizuar angazhimet në sektorët me interes të përbashkët.
Detajet përfundimtare të marrëveshjeve dhe përmbajtja e tyre do të bëhen të qarta përmes njoftimeve zyrtare nga institucionet përkatëse.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



