Ministrja e re si truk i vjetër!
Nga Kristjan Zoto|opinion|publik.al
Në Shqipëri, çdo reformë e madhe që shpall Edi Rama fillon me të njëjtin skenar. Një figurë me CV ndërkombëtare vihet në krye, për të dhënë përshtypjen e seriozitetit dhe neutralitetit. Pastaj, me propagandë të stërholluar, premtohet një transformim “historik”. Por, në të vërtetë, ky është vetëm një truk i vjetër për të mbuluar interesat e privatëve.
Kështu ndodhi me reformën e arsimit të lartë. Në janar të vitit 2014, Rama nxori në skenë profesorin Arjan Gjonça nga “London School of Economics”, i cili u vendos në krye të komisionit për reformën në arsimin e lartë. Në publik u shit ideja se Shqipëria do të përqafonte “modelin anglo-sakson”, një arsim të krahasueshëm me Kembrixhin e Oksfordin. Në fakt, ligji u hartua për të forcuar pozitat e universiteteve private. Sot auditorët janë bosh dhe reforma mbahet mend vetëm si një shërbim për xhepat e Henri Çilit.
Sot, në shëndetësi, Rama po përdor të njëjtin truk. Ministrja e re, Evis Sala, u prezantua me një CV shkencore të gjatë, të mbushur me eksperienca jashtë vendit. Madje, që në fjalën e parë, nuk ngurroi të krahasonte QSUT-në me spitalet e Cambridge dhe Gemelli, ku ajo ka punuar. Një krahasim absurd, por i dobishëm për propagandën: të bindë opinionin se Shqipëria është në prag të një epoke të re në shëndetësi.
Por pyetja është e thjeshtë: a do të jetë Evis Sala një Arjan Gjonça i ri? Një figurë me reputacion që përdoret si mbulesë, ndërsa pas saj fshihen interesat e oligarkëve që kontrollojnë shëndetësinë private?
Sepse, ndërkohë që flitet për “autonomi spitalore”, duhet thënë qartë se kjo reformë i shërben drejtpërdrejt privatëve. Dy nga katër koncesionet më të rëndësishme të shëndetësisë zotërohen nga Klodian Allajbeu. Përveç tyre, ai kontrollon edhe dy spitalet më të mëdha private në vend: Spitalin Amerikan dhe Hygeia. Me ligjin e ri, spitalet publike do të futen në një logjikë menaxhimi ku privatët janë gjithmonë fituesit e vërtetë: më shumë hapësira për kontrata, më shumë mundësi që mjekët të punojnë me pagesë shtesë brenda spitaleve publike, më shumë burime publike të kanalizuara drejt interesave private.
Në këtë kontekst, fakti që ministrja e re vjen si rektore nga universiteti i lidhur me perandorinë shëndetësore të Allajbeut nuk mund të jetë rastësi. Si në arsim, ashtu edhe në shëndetësi, Rama përdor “ekspertë” dhe “profesionistë” vetëm si truk politik për të fshehur thelbin: privatizimin e ngadaltë të publikes dhe dorëzimin e shërbimeve bazë tek oligarkët.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



