Mitsotakis ‘hap thesin’ për të ‘zhbllokuar’ rrugët e Greqisë
Kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis, ka njoftuar në Parlament një paketë mbështetëse prej 150 milionë eurosh për fermerët, ndërsa paralajmëroi se masa të tjera lehtësuese do të shpallen pas një takimi të drejtpërdrejtë mes qeverisë dhe përfaqësuesve të protestuesve.
Sipas Mitsotakis, fondi prej 150 milionë eurosh do të shpërndahet me hyrjen e vitit të ri 2026 dhe është konceptuar si kompensim për fitimin e munguar të prodhuesve bujqësorë. Kreu i qeverisë pranoi gjithashtu se reagimi institucional ka qenë i vonuar, duke theksuar se situata kërkon ndërhyrje të menjëhershme për stabilizimin e sektorit bujqësor.
CNN Greqi raporton se qeveria po synon një takim ballë për ballë mes Mitsotakis dhe përfaqësuesve të fermerëve, ku pritet të propozohen edhe mekanizma të tjerë lehtësues, veçanërisht në lidhje me energjinë elektrike dhe çmimin e karburantit. Sipas burimeve, këto masa mund të reflektohen drejtpërdrejt në çmimet në pikat e furnizimit me karburant.
Ndërkohë, kryeministri grek përjashtoi mundësinë e shkrirjes së agjencisë së subvencioneve bujqësore OPEKEPE me administratën tatimore AADE, pavarësisht se kjo e fundit shihet si një strukturë që ofron më shumë transparencë. Debati vjen pas skandalit me subvencionet, i cili shkaktoi vonesa në pagesa dhe u bë një nga arsyet kryesore të shpërthimit të protestave.
Fermerët prej rreth tre javësh vijojnë protestat, duke ndërmarrë bllokada të rrugëve kryesore, doganave dhe porteve, çka ka futur vendin në kaos. Ata kanë paralajmëruar se protestat do të përshkallëzohen edhe gjatë festave, nëse kërkesat e tyre nuk merren parasysh nga qeveria.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



