E diel, 25 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
“Mos e politizoni”, familja e Erjon Vishkullit: Në Itali e çuan familja, miqtë, jo shteti
Lajme

“Mos e politizoni”, familja e Erjon Vishkullit: Në Itali e çuan familja, miqtë, jo shteti

Familjarët e Erjon Vishkullit, 28-vjeçarit që mbeti i plagosur në syrin e majtë gjatë protestës së 24 tetorit në Tiranë, kanë reaguar pas interesimit të madh publik për gjendjen e tij shëndetësore, duke kërkuar që ngjarja të mos përdoret për qëllime politike.

Përmes një mesazhi të publikuar në rrjetet sociale, një e afërme e të riut falënderoi të gjithë ata që janë shqetësuar për shëndetin e tij, por u bëri thirrje mediave dhe personave që kanë ndërmarrë nismën për trajtimin e tij që të mos e kthejnë rastin në debat politik.

“Ju falënderojmë të gjithëve që jeni interesuar dhe shqetësuar për shëndetin e vëllait tonë, por duam që në këto momente të qëndrojmë larg pjesës politike”, thuhet në mesazhin e publikuar.

Familja: Mos përhapni lajme të pakonfirmuara

Në reagim, familjarët u kërkojnë portaleve të mos publikojnë informacione pa bazë dhe të mos e përdorin plagosjen e të riut për të krijuar përplasje politike.

Ata falënderojnë personat që kanë marrë iniciativën për organizimin e një ndërhyrjeje më të specializuar në Itali, ndërsa theksojnë se Erjoni është dërguar drejt trajtimit mjekësor falë mbështetjes së familjes, miqve dhe njerëzve të afërt.

“E kanë çuar familja, miqtë dhe mbështetësit e familjes sonë dhe jo shteti”, thuhet në reagim, ku përcillet edhe një apel për shpërndarjen e informacioneve të sakta.

Në fund, familjarët shprehin shpresën që 28-vjeçari të rikthehet sa më shpejt në shtëpi, i shëndetshëm, për t’u dhënë gëzim prindërve të tij.

Erjon Vishkulli u plagos në sy gjatë protestës

I riu mbeti i plagosur gjatë përplasjeve të së shtunës në Tiranë dhe iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale në Spitalin e Traumës. Më pas, u bë e ditur se ai do të dërgohej në Romë për trajtim më të specializuar, pasi në syrin e majtë kishte ende një trup të huaj dhe duhej një ndërhyrje e dytë.

Vetë Erjoni ka treguar se në momentin e plagosjes ndodhej rreth 30 metra larg efektivëve të policisë dhe se nuk po kryente veprime kundër tyre. Rrethanat e incidentit po hetohen nga autoritetet përkatëse.

Ndërkohë, familja kërkon që në këtë periudhë të vështirë vëmendja të mbetet te shëndeti dhe rikuperimi i të riut, pa e shndërruar rastin e tij në një përplasje politike.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.