Mos e vrisni për së dyti 17-vjeçarin Leandro Shametajn!
Igli Çelmeta | Opinion | Publik.al
Mos e vrisni për së dyti Leandro Shametaj duke publikuar videon e aksidentit që i mori jetën! Kush shkakton aksident me vdekje, duke qenë në timon në gjendje të dehur dhe duke kaluar çdo limit shpejtësie, duhet të dënohet për vrasje me dashje. Kaq e thjeshtë. Kaq e domosdoshme.

Sot, një pjesë e mediave në vendin tonë kanë shkelur çdo parim etik, çdo ndjeshmëri njerëzore, duke shpërndarë pamjet tronditëse të momentit kur Leandro humbi jetën. Publikimi i atij video materiali nuk është informacion, nuk është gazetari, është shkatërrim i dinjitetit të viktimës dhe dhunë mbi familjen që po përpiqet të mbijetojë mes dhimbjes. Për prindërit e Leandros, familjarët e tij, ajo video është një vrasje e dytë. Për median, një turp që tregon se sa thellë kemi rënë në etjen për klikime dhe shikime.
Leandro ishte vetëm 17 vjeç. Një djalë i qetë, i ndershëm, që punonte si kamerier për të fituar ndershmërisht bukën e përditshme. Nuk zgjodhi rrugë të lehta, nuk jetonte me iluzionet e luksit dhe famës që kanë pushtuar një pjesë të brezit të ri. Ishte një nga ata të rinj që ende besojnë te puna dhe ndershmëria. Por përballë tij, në atë rrugë, ishte një tjetër i ri, në timon, i dehur, me një makinë luksoze që e shndërroi në armë vrasëse. Dhe përballë kësaj tragjedie, shteti hesht. Autoritetet nuk flasin. Ligjet janë të buta. Shoqëria, në vend që të reflektojë, sheh, klikon dhe kalon më tej.
Asnjë video nuk duhet të qarkullojë kur përmban momentin e fundit të jetës së një njeriu. Ajo video nuk është lajm, është krim moral. Është një goditje që ia heq edhe të fundit pikë dinjiteti kujtimit të viktimës. Në një kohë kur rrjetet sociale kanë kthyer tragjeditë në spektakël, mediat serioze duhet të jenë muri që ndalon, jo porta që hapet për çdo pamje të tmerrshme.
Por ajo që na trondit edhe më shumë është mungesa e reagimit institucional. Shqipëria nuk mund të vazhdojë me ligje që e quajnë “aksident rrugor” një ngjarje ku një njeri në gjendje të dehur dhe me shpejtësi mbi 150 km/orë vret dikë.
Jo, nuk është aksident, është vrasje me dashje, e bërë me vetëdije, me arrogancë, me përbuzje për jetën.
Nëse duam të shpëtojmë jetë, duhet të kemi guximin të ndryshojmë ligjet, të ndëshkojmë rëndë, dhe të ndalojmë përfundimisht glorifikimin e krimit, luksit dhe papërgjegjshmërisë. Sepse një shoqëri që hesht përballë vrasjes së një 17-vjeçari, dhe që e sheh vdekjen e tij si përmbajtje mediatike, nuk ka më shpirt.
Ligji duhet të jetë i ashpër, sepse rrugët tona janë kthyer në pyll. Dhe, siç thuhet me të drejtë, ligji duhet të jetë sipas derrave që ka pylli.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



