Mosmirënjohës, nuk i meritoni idetë gjeniale të liderit tonë me famë botërore!
Naim Noka
“Mund të duket qesharake për ju, por unë nuk ndalem!” – ky është reagimi më i fundit i Kryeministrit Edi Rama, i cili, ndërsa fliste për projektin e tij më të ri që do të tronditë Shqipërinë dhe botën, ideja e një “shteti bektashi”, i tregoi të gjithëve se asgjë nuk është e pamundur… sidomos kur je Rama.
Kryeministri shqiptar u shfaq para OKB-së, jo për të kërkuar njohje të reja për shtetin shqiptar të Kosovës, por për të kërkuar njohjen ndërkombëtare të shtetit të Baba Mondit në Shkozë,
Kosova mund të presë, Shkoza po bëhet qendra e gravitetit të ri botëror!
Imagjinoni një moment: sapo hap sytë në mëngjes, dhe hopa! Një shtet brenda shtetit, por jo çfarëdo shteti – një entitet sovran për bektashinjtë, brenda Tiranës. Dhe këtu, mes kafeve të lodhura të mëngjesit, debati i fshatit tonë merr flakë. “Po a nuk është ky thjesht një plan për të rritur turistët?” pyet qytetari mesatar. “Mos ndoshta synohet një monopol i ri për përurime ceremoniale?” spekulon një tjetër.
Rama, si një gjeni i improvizimeve politike dhe artistike, thotë se çudirat që dëgjon çdo ditë për idetë e tij “kalojnë kufijtë e fantazisë”. Dhe duhet të pranojmë, ideja e një “shteti bektashi” është po aq e çuditshme sa një reklamë për turizëm në Mars.
Ama kjo, sipas Ramës, është një domosdoshmëri e patjetërsueshme për të mbrojtur trashëgiminë kombëtare dhe fetare. “Padija e skëterrshme”, thotë ai për kritikët, duke lënë të kuptohet se kushdo që e kundërshton është thjesht një kokëfortë pa vizion, apo një armik i thesarit të kombit.
Nga ana tjetër, skeptikët që tërhiqen zvarrë në polemika të kota (siç i quan Rama), janë të shqetësuar për një tjetër aspekt: Prit, po ç’do bëhet me institucionet shqiptare në këtë shtet të ri? A do kenë kufi doganor? A duhet të kalosh pasaportën në Kryegjyshatën Botërore për të marrë vizë për në Shqipëri?
Po satelitét Albania1 dhe Albania2 a do t’i shërbejnë shetit të ri? Këto janë pyetje të vogla për të cilat Rama, me gjakftohtësi , njofton se “kemi gjithë kohën e botës për të kthjelluar çdo gjë”.
Mund të imagjinojmë një të ardhme ku qytetarët do të shkojnë të luten në Kryegjyshatë për çështje politike, sepse ndoshta atje e gjejnë drejtësinë që humbasin në gjykatat shqiptare. Dhe ndërsa liderët tanë do të debatojnë për kufirin e ri të shtetit bektashi, Rama do të vijojë të shkruajë fjalimet e tij epike, me qetësi, duke rrëmuar në librat e historisë fetare për të gjetur arsyet e tjera që e mbështesin idenë e tij të rradhës.
Në fund të fundit, shteti bektashi, me kryeqytet në mes të Tiranës, do të jetë thjesht një detaj i vogël në sagën e gjatë të projekteve që vetëm një lider i përmasave ndërkombtare si Rama mund të imagjinojë dhe të përpiqet të realizojë, sepse, siç e thotë dhe ai vetë: “Çuditë e mëdha janë për ata që s’e kuptojnë!” Ata që nuk kuptojnë funksionimin perfekt të institucioneve të shtetit shqiptar pér dy milionë banorët që jetojnë ketu, janë kokëboshë dhe gojëprishur. Nuk është faji i kryeministrit pse qytetarët nuk perceptojnë bumin turistik, revolucionin e shezlongjeve në det, rritjen e të ardhurave për fryme, ulje deri ne 3% të papunësisë në vend.
Pse e kërkoni fajin tek idetë gjeniale të Ramës?!
Arsimi dhe shendetësia e shtetit tonë, janë shembull jo vetëm për Europën por dhe SHBA-të. Ushtria nuk na duhet se na mbron NATO. Produktet bujqësore “made in Albania” po bëjnë namin kudo në botë. Mbi të gjitha ju nuk e dini se fati i zgjedhjeve presidenciale në Amerikë varet nga mbështetja e udhëheqësit tonë. Nëse mbështet Kamelën e hëngri Trump. Por në prapaskenë kemi edhe “dhëndrrin ” e Sazanit, ndaj dikush të informojë Kamelën ….
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



