Motra e Ergys Agasit duartroket Ramën në prezantimin e Iglit Tafës
AKSHI, motra e Agasit në zyrë – Rama prezanton drejtorin e ri mes hijes së “grupit kriminal
Publik.al ishte media e parë që raportoi se Ergys Agasi kishte punësuar motrën e tij në një pozicion kyç brenda Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, në kohën kur sipas hetimeve – nga ky institucion zhvendoseshin miliona euro përmes tenderave të dyshuar.
Këtë të martë, kryeministri Edi Rama ishte në ambientet e Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), ku prezantoi zyrtarisht Igli Tafën si drejtues të ri të institucionit, pas largimit të Mirlinda Karçanaj, e cila ndodhet nën hetim nga SPAK në dosjen që tashmë njihet si “grupi kriminal AKSHI”.
Detaji që nuk kaloi pa u vënë re
Në sallë, mes duartrokitjeve për kryeministrin dhe fjalës për “arritjet” e institucionit, ishte e pranishme edhe Viola Agasi – Drejtore Juridike e Prokurimeve dhe Integrimit në AKSHI.
Mbiemri i saj nuk është i panjohur: ajo është motra e biznesmenit të shpallur në kërkim nga SPAK, Ergys Agasi, i përmendur në dosje si një nga figurat kyçe që – sipas akuzës – kishte ndikim të drejtpërdrejtë mbi procedurat e prokurimit në AKSHI, bashkë me Ermal Beqirin dhe bashkëpunëtorë të tjerë.
Sipas raportimeve të mëhershme të Publik.al, pikërisht në periudhën kur kompania “E.A Solution” përfitonte tendera të rëndësishëm nga AKSHI, kontrolli juridik dhe filtrimi i dokumentacionit kalonte përmes drejtorisë së prokurimeve – një hallkë thelbësore për vlefshmërinë dhe shpalljen e fituesve.
Nga zyra në Bllok te zyra e shtetit
Burime mediatike kanë raportuar se ish-drejtues të AKSHI frekuentonin zyrën private të Ergys Agasit në zonën e Bllokut, ku – sipas hetimeve – “qepeshin” kushtet e tenderave për t’u përshtatur me kompanitë e parapërcaktuara.
Në këtë skemë, roli i drejtorisë juridike ishte vendimtar: verifikimi i dokumentacionit, interpretimi i kritereve dhe “OK”-ja finale për dosjet e kompanive konkurruese.
Fakti që në prezantimin e drejtuesit të ri, në një moment kur institucioni është nën hetim intensiv për korrupsion dhe pastrim parash, ndodhej në rresht të parë motra e një prej personave kryesorë të dosjes, ngre pikëpyetje serioze mbi konfliktin e interesit dhe vazhdimësinë e strukturave brenda AKSHI-t.
Mesazh politik apo vazhdimësi strukturore?
Vizita e Ramës në AKSHI synoi të jepte mesazhin e “ristrukturimit” dhe “normalizimit” pas largimit të Karçanajt. Por prania e Viola Agasit në të njëjtin institucion, në një funksion kyç për tenderat publikë, e relativizon këtë narrativë.
Nëse AKSHI ka qenë – siç pretendohet nga SPAK – de facto nën ndikimin e biznesmenëve privatë, atëherë pyetja që mbetet është:
A ka nisur realisht pastrimi i strukturës, apo kemi të bëjmë me një riciklim formal drejtuesish, ndërsa hallkat e vjetra mbeten në vend?
Publik.al do të vijojë të ndjekë zhvillimet në këtë dosje, me dokumente, kontrata dhe lëvizje pronësie që hedhin dritë mbi mënyrën se si një institucion strategjik i shtetit u kthye në epiqendër të një skeme të dyshuar zhvatjeje miliona eurosh.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



