Mungesa e dritave, pse nuk u aktivizua menjëherë gjeneratori në QSUT
Mbrëmjen e djeshme, një pjesë e konsiderueshme e Tiranës u përball me ndërprerje të energjisë elektrike për rreth 90 minuta, si pasojë e një defekti në një shtyllë të linjës elektrike, që preku disa nga zonat kryesore të kryeqytetit. Por ajo që e rëndon ndjeshëm situatën është fakti se ndërprerja e energjisë preku edhe Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”.
Sipas informacioneve, një pavijon i QSUT-së, ku përfshihet edhe Reanimacioni – një nga repartet më kritike të spitalit – mbeti përkohësisht pa energji elektrike. Ende mbeten të paqarta arsyet se përse sistemet rezervë, si UPS-të dhe gjeneratorët, nuk u aktivizuan menjëherë, duke lënë repartin për një periudhë kohe pa drita.
QSUT reagoi zyrtarisht mbrëmjen e djeshme, duke pranuar ndërprerjen e energjisë, por pa sqaruar kohëzgjatjen konkrete të mungesës së furnizimit në Reanimacion dhe pa dhënë detaje të plota mbi funksionimin real të sistemeve rezervë, në një repart ku trajtohen pacientë në gjendje kritike.
“Për shkak të një defekti në linjën e furnizimit me energji elektrike të tensionit të lartë që furnizon Godinën A2 të QSUT, ka pasur një ndërprerje të përkohshme të energjisë elektrike. Falë aktivizimit të menjëhershëm të sistemeve rezervë (UPS, gjeneratorë), aparaturat mjekësore jetike kanë vijuar të funksionojnë normalisht, duke garantuar vijimësinë e trajtimit dhe duke mos u cenuar në asnjë moment jeta e pacientëve”, thuhet në deklaratën e QSUT-së për mediat.
Një qëndrim të ngjashëm mbajti edhe Operatori i Sistemit të Transmetimit (OST), i cili pas riparimit të defektit deklaroi se institucionet me rëndësi të veçantë u furnizuan me energji elektrike “brenda pak minutash”, pa specifikuar konkretisht sa zgjati ndërprerja në Reanimacionin e QSUT-së.
Ndërkohë, një tjetër element shqetësues është zbuluar nga mediat, pasi që prej shtatorit të vitit 2025 nuk rezulton të jetë hapur asnjë tender i ri për mirëmbajtjen e gjeneratorëve në QSUT. Tenderi i fundit për këtë shërbim është hapur në vitin 2023 dhe ka përfunduar në vitin 2025, ndërsa deri më tani nuk ka transparencë nëse është lidhur apo jo një kontratë e re për mirëmbajtjen e këtyre sistemeve jetike.
Në momentin e ndërprerjes së energjisë, në Reanimacionin e QSUT-së ndodhej i shtruar edhe i burgosuri Mihal Mërkuri, i cili, sipas njoftimit të spitalit, ka ndërruar jetë në orët e para të mëngjesit të sotëm si pasojë e një arresti kardiak dhe hemorragjie. Autoritetet shëndetësore nuk kanë dhënë ende asnjë sqarim lidhur me ndonjë lidhje të mundshme mes ndërprerjes së energjisë dhe gjendjes së pacientit.
Ngjarja ngre pikëpyetje serioze mbi funksionimin real të sistemeve rezervë në institucionin më të madh spitalor në vend dhe mbi nivelin e sigurisë në repartet ku çdo sekondë është jetike.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



