Muzika pas mesnate i kushton shtrenjtë beach bar-it në Potam
Pronari, muzikanti dhe katër klientë procedohen penalisht për prishje të qetësisë publike
Një beach bar në zonën e Potamit, në Himarë, është gjobitur me 200 mijë lekë, ndërsa pronari, muzikanti dhe katër klientë janë proceduar penalisht për prishje të qetësisë publike.
Sipas Policisë, rasti u konstatua gjatë kontrolleve që shërbimet e Komisariatit të Policisë Himarë po zhvillojnë në Potam dhe Dhërmi, në kuadër të planit të masave për sezonin turistik dhe monitorimit të ndotjes akustike.
Gjatë verifikimeve, efektivët konstatuan se në beach bar muzika vijonte të luhej edhe në orën 00:30, në kundërshtim me parashikimet e ligjit “Për administrimin e zhurmës në mjedis”.
Për këtë shkelje, pronari i subjektit, shtetasi me iniciale S. R., 37 vjeç, u ndëshkua me masë administrative prej 200 mijë lekësh.
Më pas, ai u procedua penalisht së bashku me muzikantin e lokalit dhe katër klientë, pasi, sipas Policisë, kishin prishur qetësinë publike dhe nuk iu bindën urdhrit të punonjësve të Policisë për të ndërprerë aktivitetin me muzikë.
Policia e Shtetit njofton se kontrollet dhe matjet e nivelit të zhurmës në subjektet që organizojnë aktivitete muzikore do të vijojnë përgjatë gjithë sezonit veror në vijën bregdetare.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



