Në Nikël të Krujës, mes barit të egër dhe grumbujve të mbeturinave, gjendet një rrënojë që dikur ishte tempulli i dijes për qindra fëmijë. Shkolla “Ramazan Karaj” nuk është më.
Prej janarit të vitit 2022, kur u shemb nga IMT për shkak të dëmtimeve të rënda nga tërmeti i 2019-ës, ajo ka mbetur një plagë e hapur në zemrën e komunitetit.
Dikur, mbi 450 nxënës kalonin ditët e tyre mes mësimit dhe lojës në këtë institucion arsimor. Sot, rreth 480 fëmijë janë të detyruar të bëjnë kilometra të tëra çdo ditë për të ndjekur mësimet në shkolla të tjera të Fushë-Krujës shpesh me turne të lodhshëm dhe në kushte që nuk i garantojnë as arsimin, as dinjitetin.
Pesë vite më pas, nuk është vendosur ende as guri i parë për rindërtim. Projekti ka qarkulluar nëpër zyrat e shtetit si një dosje që kërkon vetëm një firmë për të nisur një proces por gjithçka ka mbetur në letër. Dhe si gjithmonë, janë fëmijët që paguajnë çmimin më të lartë për premtimet e pambajtura.
Prekja më e fortë vjen jo nga statistikat, por nga vetë zëri i një nxënëseje nga kjo shkollë, e cila në një ese të titulluar “Shkollimi është themeli mbi të cilën ndërtohet e ardhmja jonë”, ka shkruar me ndjeshmëri të rrallë për realitetin që përjeton çdo ditë. Në vend të një shkollë të re, ajo flet për lodhjen, për vapën dhe shiun, për rrugët që bëhen në këmbë dhe kthimet e vona në shtëpi. Për një brez që rritet me ndjenjën se është lënë pas dore.
“Çdo ditë që kalon, shpresa për një shkollë të re zbehet”, shkruan ajo. “Nuk kemi më asgjë, përveç kujtimeve. E vetmja gjë që kërkojmë është të na dëgjoni.”
Kur fëmijët kërkojnë me ngulm një shkollë, ata nuk kërkojnë luks. Kërkojnë një hapësirë ku të mësojnë, të formohen, të ndërtojnë ëndrrat e tyre. Dhe nëse ky shtet nuk është në gjendje t’i japë as kaq brezit të ardhshëm, atëherë pyetja që duhet ngritur është e thjeshtë: Çfarë jemi duke ndërtuar si shoqëri?
Rrënimi i shkollës “Ramazan Karaj” është simbol i një dështimi institucional, i një premtimi të dhënë, të harruar, dhe të braktisur. Por mbi të gjitha, është një thirrje që ende mund të dëgjohet nëse ka ende veshë për ta dëgjuar.