E hënë, 19 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
“Na rrahën me shkopinj e shkelma”, dëshmia tronditëse e 15-vjeçarit
Lajme

“Na rrahën me shkopinj e shkelma”, dëshmia tronditëse e 15-vjeçarit

Një dëshmi e një të mituri hedh dritë mbi atë që pretendohet se ka ndodhur brenda ambienteve të Ministrisë së Arsimit gjatë protestave të së mërkurës në Tiranë. A.P., 15 vjeç, nxënës i shkollës “Petro Nini Luarasi”, rrëfen se si përfundoi i izoluar në një nga dhomat e institucionit, së bashku me rreth 20 persona të tjerë, shumica nxënës shkolle.

Sipas tij, ai nuk ishte pjesë e grupit që hyri në ministri, por u dërgua brenda godinës nga policia. Në dëshminë e tij, i mituri pretendon se efektivët i urdhëruan të shtriheshin në dysheme dhe më pas i goditën me shkelma e shkopinj.

“Na ulëritën të shtriheshim në tokë”

15-vjeçari tregon se ngjarja ndodhi në një ambient në pjesën e pasme të Ministrisë së Arsimit, pranë vendit ku ishin parkuar furgonat e policisë. Sipas rrëfimit të tij, aty ndodheshin rreth 20 persona, thuajse të gjithë nxënës, ndërsa vetëm dy ose tre prej tyre ishin më të rritur.

“Dhoma ishte si sallë, në Ministrinë e Arsimit, nga pjesa e pasme, ku ishin furgonat e policisë. Ishim rreth 20 veta. Të gjithë ishim nxënës. Vetëm dy-tre ishin të mëdhenj. Një nga policët me xhupa të kuq na ulëriti të shtriheshim në tokë. Pastaj na rrahën me shkelma dhe shkop. Disa që rezistuan i gjakosën fare”, rrëfen A.P.

Sipas dëshmisë së tij, të rinjtë u mbajtën të shtrirë në dysheme për një periudhë që ai e përllogarit nga 30 minuta deri në një orë. Më pas, ata u transportuan me furgona drejt komisariatit.

Videoja virale, 15-vjeçari pretendon se u filmua nga një polic me maskë

Një tjetër detaj që nxënësi sjell në dëshminë e tij lidhet me videon e shpërndarë gjerësisht në rrjetet sociale, ku shfaqen të rinj të shtrirë në dyshemenë e një ambienti të brendshëm.

A.P. pretendon se pamjet nuk janë filmuar nga një person i jashtëm, por nga një efektiv policie që ndodhej pranë tyre. Sipas tij, personi që regjistroi skenën ishte i maskuar dhe qëndronte shumë pranë vendit ku ai ishte shtrirë.

“E bëri mbi kokën time. Ishte polic me maskë”, tregon 15-vjeçari.

Dëshmia e të miturit ngre pikëpyetje mbi mënyrën se si u trajtuan të rinjtë e shoqëruar gjatë protestës dhe rrethanat në të cilat u filmuan pamjet që më pas qarkulluan në internet.

Pretendimet e tij për dhunë fizike dhe përfshirjen e efektivëve në regjistrimin e videos kërkojnë verifikim nga autoritetet përkatëse. Deri në konfirmimin e pavarur të rrethanave, ato mbeten pjesë e dëshmisë së 15-vjeçarit për ngjarjen brenda Ministrisë së Arsimit.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.