Ndërron jetë Habermas,filozofi i debatit modern mbi demokracinë
Filozofi dhe sociologu gjerman Jürgen Habermas, një nga mendimtarët më me ndikim të shekullit XX dhe një nga figurat që ndikuan fuqishëm në debatet mbi demokracinë moderne dhe integrimin europian, ka ndërruar jetë në moshën 96-vjeçare. Lajmi u konfirmua nga shtëpia e tij botuese Suhrkamp Verlag.
Habermas ndërroi jetë në qytetin Starnberg, pranë Mynihut, duke lënë pas një trashëgimi intelektuale që përfshin më shumë se shtatë dekada aktivitet akademik dhe publik.
Ai konsiderohej një nga figurat qendrore të mendimit kritik në Gjermaninë e pas Luftës së Dytë Botërore dhe një nga përfaqësuesit më të rëndësishëm të Shkollës së Frankfurtit, traditë filozofike që analizoi marrëdhënien midis shoqërisë, pushtetit dhe demokracisë.
Teoria e konsensusit dhe demokracia moderne
Habermas u bë i njohur në mbarë botën për teorinë e tij të veprimit komunikativ dhe për idenë se demokracia funksionon vetëm kur qytetarët marrin pjesë në një debat publik racional dhe të hapur.
Sipas tij, formimi i opinionit publik dhe ndërtimi i konsensusit përmes dialogut janë thelbësore për stabilitetin e institucioneve demokratike.
Këto ide ndikuan ndjeshëm në mënyrën se si u konceptua integrimi europian, duke e vendosur debatin publik dhe bashkëpunimin ndërmjet shteteve në qendër të projektit politik të Bashkimit Europian.
Reagimi i kancelarit gjerman
Kancelari gjerman Friedrich Merz e cilësoi Habermasin si një nga mendimtarët më të rëndësishëm të kohës moderne.
“Nuhatja e tij analitike formësoi debatin demokratik shumë përtej kufijve të Gjermanisë dhe shërbeu si një fener në një det të trazuar. Zëri i tij do të na mungojë,” deklaroi Merz.
Zë kritik në debatet politike
Edhe në moshë të thyer, Habermas mbeti aktiv në debatin publik.
Në vitin 2015 ai kritikoi politikën e ish-kancelares Angela Merkel gjatë krizës së borxhit grek, duke paralajmëruar se qëndrimi i ashpër i Berlinit rrezikonte reputacionin e Gjermanisë në Europë.
Në vitet e fundit ai u përfshi edhe në debate mbi luftën në Ukrainë dhe konfliktin në Lindjen e Mesme, duke shkaktuar polemika mes intelektualëve dhe studiuesve të teorisë kritike.
Jeta dhe trashëgimia
Jürgen Habermas lindi më 18 qershor 1929 në Dyseldorf. Në fëmijëri iu nënshtrua dy operacioneve për një çarje të qiellzës, gjendje që i shkaktoi vështirësi në të folur, por që nuk e pengoi të bëhej një nga intelektualët më të shquar të Evropës.
Vepra e tij e fundit, “Gjërat që duhen për t’u përmirësuar”, u botua në dhjetor të vitit të kaluar. Në të ai argumentonte se, pavarësisht krizave globale, shoqëritë demokratike mund të gjejnë mënyra për t’i kapërcyer ato pa u dorëzuar para pesimizmit.
Habermas lë pas dy nga tre fëmijët e tij dhe një trashëgimi të gjerë filozofike që vazhdon të ndikojë mendimin politik dhe teorinë demokratike në mbarë botën.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



