E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Ndryshimet ligjore, Rama s’i ndahet SPAK-ut: Të shohë punën e tij, jo të Kuvendit
Lajme

Ndryshimet ligjore, Rama s’i ndahet SPAK-ut: Të shohë punën e tij, jo të Kuvendit

Kryeministri Edi Rama ka reaguar lidhur me raportin e fundit të Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për vitin 2025, dokument që i është dorëzuar Kuvendi i Shqipërisë dhe ku përmendet se disa ndryshime të mundshme ligjore mund të ndikojnë në aktivitetin e institucionit.

I pyetur gjatë një konference për shtyp për këtë pjesë të raportit, kreu i qeverisë u shpreh se nuk e kishte lexuar ende dokumentin dhe për këtë arsye nuk mund të komentonte në detaje për përmbajtjen e tij. Megjithatë, Rama theksoi se çdo institucion duhet të respektojë rolin e vet dhe se vendimmarrja për ligjet i takon parlamentit.

“Nuk e kam lexuar këtë raport dhe s’mund të komentoj diçka që s’e kam lexuar vetë, s’është puna e SPAK që t’i thotë parlamentit seç’të bëjë. SPAK të shohë punën e vet, ne tonën dhe aq më mirë do të bëhet Shqipëria. SPAK e ka gjithë mbështetjen tonë. Parlamenti është sovran, nuk varet nga SPAK, ambasadat dhe askush tjetër”, deklaroi kryeministri Edi Rama.

Gjatë konferencës, Rama u pyet edhe për ndërhyrjet e planifikuara në Kodin e Procedurës Penale. Ai u shpreh prerë se ndryshimet do të realizohen dhe nuk lidhen drejtpërdrejt me raportin e SPAK-ut.

“Ndryshimi nuk ka të bëjë me raportin e SPAK-ut sepse raporti është normalisht një raport pune për një periudhë të gjatë kohe, nuk besoj se është i lidhur me javën e fundit. Është një ndryshim që do të bëhet, nuk ka diskutim fare. Nuk ka shans të çohet një prokuror me një gjykatës të pezullojnë funksionarë se këtu nuk pezullohet personi, pezullohet funksioni”, tha Rama.

Kryeministri foli gjithashtu për procesin e rishikimit të legjislacionit penal, duke theksuar se qeveria është duke punuar për një paketë të gjerë ndryshimesh, përfshirë edhe hartimin e një Kodi Penal të ri. Sipas tij, materiali është voluminoz dhe po rishikohet mbi bazën e komenteve dhe vërejtjeve të marra nga ekspertë vendas dhe ndërkombëtarë.

“Ndryshimet e tjera, do t’i bëjmë patjetër sepse kemi Kodin e ri Penal, ndërhyrjet e domosdoshme, nuk kanë ngut. Po punojmë, kemi një material shumë voluminoz dhe me shumë brumë për t’u diskutuar. Është ripunuar dhe është në ripunim mbi bazën e vërejtjeve që janë bërë, kemi aleatë Ministrinë e Drejtësisë në Francë e Itali dhe me ekspertët që na kanë vënë në dispozicion do të rishikojmë Kodin e ri, Kodin e Procedurës Penale dhe çdo gjë është nën kontroll dhe në respekt të plotë të të gjitha standardeve europiane. S’ka asnjë vullnet, tendencë, qëllim, ëndërr për të kthyer mbrapsht gjërat që kanë shkuar përpara”, përfundoi kryeministri.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.