E mërkurë, 21 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
“Në BE pa Edi Ramën,” Lëvizja BASHKË letër të hapur drejt Komisionit Europian
Lajme

“Në BE pa Edi Ramën,” Lëvizja BASHKË letër të hapur drejt Komisionit Europian

Lëvizja BASHKË i ka dërguar një letër të hapur Komisionit Europian, përmes së cilës kërkon ndërhyrjen e institucionit europian për të ushtruar presion ndaj kryeministrit Edi Rama dhe për të kërkuar largimin e tij nga drejtimi i qeverisë.

Letra mban titullin “Në Bashkimin Evropian pa Edi Ramën” dhe përmban akuza të forta ndaj qeverisjes aktuale, të cilën Lëvizja BASHKË e lidh me korrupsionin, kapjen e institucioneve, kontrollin e mediave dhe dhunën policore. Sipas saj, këto problematika po dëmtojnë funksionimin demokratik të vendit dhe po shtojnë tensionet shoqërore.

Në qëndrimin e saj, lëvizja u referohet protestave të zhvilluara gjatë muajve të fundit dhe përplasjeve të ditëve të fundit, ku janë përfshirë edhe studentë e gjimnazistë. Ajo akuzon qeverinë për reagim represiv ndaj qytetarëve që kanë dalë në rrugë për të kërkuar ndryshime politike.

Lëvizja BASHKË argumenton se dorëheqja e Edi Ramës dhe e qeverisë së tij duhet të paraprijë çdo përpjekje për dialog politik e shoqëror. Sipas saj, vetëm pas këtij hapi mund të hapet rruga për një proces të ri demokratizimi në Shqipëri.

“Edi Rama e ka humbur legjitimitetin dhe kapacitetin për të qeverisur Shqipërinë. I bëjmë thirrje Komisionit Evropian të ushtrojë trysninë e tij ndaj Edi Ramës që të tërhiqet nga strategjia e tensionit dhe të pranojë zërin e shumicës dërrmuese të popullit shqiptar që kërkon dorëheqjen e tij dhe të qeverisë. Çdo proces dialogu politik dhe shoqëror ka kuptim vetëm pas dorëheqjes së parevokueshme të Edi Ramës dhe qeverisë së tij”, theksohet në letrën e hapur.

Me këtë thirrje, Lëvizja BASHKË kërkon që çështja e përgjegjësisë politike të qeverisë shqiptare të marrë vëmendjen e institucioneve europiane, duke e vendosur dorëheqjen e kryeministrit si kusht për nisjen e një dialogu të ri.

LETRA E PLOTË:

NË BASHKIMIN EVROPIAN PA EDI RAMËN
Letër e hapur drejtuar Komisionit Evropian
Edi Rama e ka humbur legjitimitetin dhe kapacitetin për të qeverisur Shqipërinë. Korrupsioni, kriminalizimi i institucioneve, kapja e shtetit nga oligarkët, autoritarizmi, kontrolli i mediave, dhuna policore e strukturore, si dhe arroganca e pakufi e kanë kthyer atë në rrezikun kryesor të destabilizimit të institucioneve dhe cenimit të paqes sociale në Shqipëri.
Për 140 ditë qytetarët e Republikës së Shqipërisë protestuan paqësisht dhe në përmasa të papara në historinë tonë për të kërkuar dorëheqjen e Edi Ramës dhe prapësuar ligjet dhe vendimet antishoqërore të qeverisjes së tij. Por më kot. Protestuesve paqësorë qeveria iu përgjigj me kërcënime, demonizim, teori konspiracioni dhe krijimin e një psikoze frike për ndërhyrje nga jashtë. Si çdo autokrat i ditëve tona edhe Edi Rama orvatet ta justifikojë dështimin e qeverisjes së tij dhe kulmimin e pakënaqësisë popullore duke i konsideruar protestuesit si agjentë ose të ndikuar nga agjenturat e shteteve të huaja.
Ditët e fundit protesta qytetare, me iniciativën e studentëve dhe gjimnazistëve, është ashpërsuar, duke sjellë si kundërpërgjigje dhunën e shfrenuar policore, arrestimet e paligjshme (mbi 500 të arrestuar dhe shoqëruar forcërisht)(1), terrorizimin e të rinjve në rrugët e qytetit, si dhe kërcënimet antikushtetuese të sanksioneve ekonomike, sociale dhe arsimore për këdo që guxon të ngrejë zërin kundër autoritarizmit, korrupsionit dhe padrejtësive sociale.(2)
Këto kohë Edi Ramës i ka rënë përtokë edhe pretendimi i gënjeshtërt se vetëm ai mund të udhëheqë rrugëtimin e Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian. Kjo nuk ka qenë e vërtetë as në të shkuarën, kur qeverisja e Ramës ka shkelur me të dyja këmbët normat evropiane të demokracisë funksionale, zgjedhjeve të lira e të ndershme(3), lirisë së mediave(4), shtetit të së drejtës (sulmet ndaj prokurorëve të SPAK-ut dhe gjykatësve të GJKKO(5), si dhe mosvotimi i kërkesës për imunitetin e Belinda Ballukut) dhe mbrojtjes së mjedisit. Aq më pak e vërtetë është sot ku Edi Rama ka hequr çdo maskë, e ka shndërruar shtetin në aparat dhune policore dhe ka vërtetuar se është i paaftë për të qeverisur dhe prodhuar stabilitet.
Po ashtu duhet sjellë në vëmendje se gjatë muajve të fundit qeveria shqiptare ka refuzuar të marrë në konsideratë kërkesat e përbashkëta të protestuesve dhe Komisionit Evropian për abrogimin e ndryshimeve të vitit 2024 të ligjit për zonat e mbrojtura dhe të ligjit për investimet strategjike. Në të njëjtën mënyrë, ajo ka shpërfillur kundërshtimin e protestuesve ndaj ligjit për Paketën e Maleve, për rreziqet e të cilit ka paralajmëruar edhe Komisioni Evropian(6).
Lëvizja BASHKË është e të njëjtit mendim me mbi 90% të popullit shqiptar që mbështet integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian, duke e konsideruar si nxitës të modernizimit, demokratizimit dhe stabilitetit të vendit. Vlerat themeluese të Bashkimit Evropian mbeten një nga burimet e frymëzimit tonë politik. Ndaj i bëjmë thirrje Komisionit Evropian të ushtrojë trysninë e tij ndaj Edi Ramës që të tërhiqet nga strategjia e tensionit dhe të pranojë zërin e shumicës dërrmuese të popullit shqiptar që kërkon dorëheqjen e tij dhe të qeverisë.
Çdo proces dialogu politik dhe shoqëror ka kuptim vetëm pas dorëheqjen së parevokueshme të Edi Ramës dhe qeverisë së tij. Lëvizja BASHKË është e gatshme që – pas këtij akti që do të rivendoste paqen sociale – të japë kontributin e saj në procesin e demokratizimit të shtetit shqiptar, si kusht i domosdoshëm për stabilitetin politik dhe shoqëror afatgjatë. Në gjykimin tonë, ky proces do të kërkonte në radhë të parë ndryshime të rëndësishme kushtetuese: prapësimi i ndryshimeve kushtetuese të vitit 2008, që do të rriste kontrollin parlamentar mbi ekzekutivin, si dhe fuqizimi i të drejtës për referendum nga qytetarët duke ndryshuar nenin 150 të Kushtetutës.
Nga ana tjetër, nevojiten ndryshime të kuadrit ligjor që lidhet me zgjedhjet dhe funksionimin e partive politike. Këto ndryshime duhet të përfshijnë: a) përmirësimin e ndjeshëm të Kodit Zgjedhor për të siguruar barazinë e përfaqësimit në raport me votën; b) ndalimin e instrumentalizimit politik të nëpunësve dhe burimeve të administratës publike; c) hartimin e një ligji për financimin e partive politike që garanton transparencë dhe përgjegjësi; d) drejtpeshimin e kohës televizive të partive politike gjatë fushatës elektorale. Po ashtu, bazuar te kërkesat me popullaritet të gjerë të protestës dhe në përputhje me mendimin e Komisionit Evropian, duhen abroguar ligjet problematike si ligji 21/2024 për zonat e mbrojtura, ligji për investimet strategjike (55/2015), ligji për Paketën e Maleve (20/2025).
Këto ndryshime kushtetuese dhe ligjore do të mundësonin organizimin e zgjedhjeve të parakohshme vërtet të lira dhe të ndershme, si asnjëherë më parë në historinë tonë.
Në fund, Lëvizja BASHKË shpreh gatishmërinë që gjatë këtij procesi tranzitor demokratizues të japë kontributin e vet në përshpejtimin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, duke u bërë thirrje njëkohësisht qytetarëve, organizmave shoqërore dhe çdo faktori të përgjegjshëm politik të bëhet pjesë e këtij procesi historik.
SHËNIME:
2) Shih deklaratën e Edi Ramës në mbledhjen e datës 18 tetor me drejtuesit e Policisë së Shtetit: https://www.youtube.com/watch?v=mjfVCpV4eoc
3) Shih Raportin e OSBE/ODIHR për zgjedhjet parlamentare të 2025: https://odihr.osce.org/…/ALB%20Parliamentary%202025…
4) Shih “2026 Rule of Law Report Country Chapter on the rule of law situation in Albania” të Komisionit Evropian: https://commission.europa.eu/document/download/3f6405bc-f071-4e6c-a2b1-212832d588fe_en?filename=Country%20chapter%20-%20Albania-EN.pdf
5) Shih European Commission, Albania 2025 Report, SWD(2025) 750 final, fq. 28. https://enlargement.ec.europa.eu/albania-report-2025_en
6) Shih European Commission, Albania 2025 Report, SWD(2025) 750 final, fq. 84 https://enlargement.ec.europa.eu/albania-report-2025_en
Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.