Në kulmin e verës, Durrësi me probleme me furnizimin me ujë
Një defekt i shfaqur në linjën e tensionit 20 kV që furnizon me energji elektrike stacionin e pompave në Fushë Milot ka shkaktuar ndërprerjen e përkohshme të aktivitetit të tij.
Stacioni ka qëndruar jashtë funksionit nga ora 22:30 e mbrëmjes së kaluar deri në orën 06:00 të mëngjesit të sotëm, duke sjellë ndërprerje të procesit të pompimit të ujit.
Sipas informacionit të Ujësjellës Kanalizimeve Durrës, defekti është shkaktuar nga erërat e forta dhe është riparuar pas ndërhyrjes së ekipeve teknike, të cilat kanë punuar gjatë gjithë natës. Pas përfundimit të punimeve, stacioni i pompave ka rinisur funksionimin normal.
Megjithatë, rikthimi i energjisë dhe vënia në punë e stacionit nuk do të shmangin menjëherë pasojat e ndërprerjes së pompimit. Për këtë arsye, priten probleme të përkohshme në furnizimin me ujë në disa zona rurale.
Sipas SHRUKD, zonat që mund të preken nga problematikat janë Shkalla, Sektor Rinia, Arapaj, Xhafzotaj dhe Rrashbull.
Ujësjellës Kanalizime Durrës u ka kërkuar banorëve të këtyre zonave mirëkuptim, duke sqaruar se situata është e përkohshme dhe lidhet me ndërprerjen e pompimit të shkaktuar nga defekti në rrjetin elektrik.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



