Në Pogradec veç e veç, tani bashkë:
Rama mbledh ministrat dhe drejtuesit politikë në selinë e PS-së
Pas takimeve të ndara në Pogradec, kryeministri Edi Rama do t’i mbledhë këtë të premte bashkë ministrat dhe drejtuesit politikë të qarqeve. Takimi është parashikuar të zhvillohet në orën 17:30, në selinë e Partisë Socialiste.
Mbledhja pason diskutimet dyditore në Pogradec dhe mbledhjen e djeshme të qeverisë, duke vijuar serinë e takimeve për organizimin politik dhe koordinimin e mazhorancës.
Rama pritet të japë udhëzime për takimet që drejtuesit politikë do të zhvillojnë në zonat e tyre elektorale, ku strukturave socialiste do t’u prezantohen dokumentet strategjike “Besa” dhe “Prania Besnike”.
Në Pogradec u prezantua edhe platforma “Pasqyrë Albania”, përmes së cilës parashikohet të grumbullohen dhe të ndiqen ankesat e qytetarëve. Sipas synimit të deklaruar, problematikat duhet të marrin përgjigje brenda dy javësh, ndërsa qytetarët të kenë mundësi të shohin në kohë reale se në cilin institucion ndodhet kërkesa e tyre.
Platforma parashikohet të funksionojë përmes dy mekanizmave: “Flamingo Albania”, për mbledhjen e ankesave dhe shqetësimeve, dhe “Radar”, për gjurmimin e trajtimit të tyre nga ministritë, bashkitë dhe institucionet e tjera.
Këto takime zhvillohen në kuadër të përgatitjeve për zgjedhjet vendore të vitit 2027. Ndërkohë, në javën e parë të shtatorit pritet të mblidhet edhe Asambleja e Partisë Socialiste.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



