E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Në vilën e Ron Yeffet u sekuestrua dhe një armë zjarri
Lajme

Në vilën e Ron Yeffet u sekuestrua dhe një armë zjarri

Gazetari zbardh detaje nga aksioni i SPAK

Agjentët e BKH-së kanë ushtruar kontrolle me vendim të GJKKO-së në disa ambiente në Tiranë, përfshirë banesën e biznesmenit Rony Yeffet në Pëllumbas dhe ambientet e kompanisë shtetërore KAYO. Gazetari Eni Ferhati zbulon se biznesmenit i është kontrolluar edhe personi, ndërsa gjatë veprimit hetimor është kërkuar prania e një përkthyesi.

Hetimet e Prokurorisë së Posaçme për çështjen që lidhet me kompaninë shtetërore KAYO dhe aktivitetin e disa kompanive në industrinë e mbrojtjes kanë hyrë në një fazë të re, me kontrolle të zhvilluara në disa ambiente në Tiranë.

Gazetari Eni Ferhati ka dhënë detaje mbi veprimet e kryera nga agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit, të cilët, të mbështetur nga forcat e Policisë, kanë zbatuar vendime kontrolli të lëshuara nga Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Sipas Ferhatit, një prej kontrolleve kryesore është kryer në banesën që biznesmeni izraelito-amerikan Rony Yeffet shfrytëzonte në fshatin Pëllumbas, në periferi të Tiranës. Përveç kontrollit të banesës, është ushtruar edhe kontroll personal ndaj biznesmenit, gjatë të cilit janë sekuestruar dokumente.

Gazetari bëri të ditur se gjatë veprimit procedural është parë e nevojshme edhe prania e një përkthyesi, për shkak të zhvillimit të veprimeve hetimore me biznesmenin.

“Agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit, të mbështetur edhe nga forcat e policisë, në zbatim të një vendimi të Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, kanë zbatuar një seri vendimesh kontrolli që janë ushtruar kryesisht në kryeqytet. Mund t’ju konfirmoj deri në këto momente që është ushtruar kontroll pikërisht në banesën e biznesmenit Rony Yeffet, në fshatin Pëllumbas, në periferi të Tiranës, në një banesë që ai e shfrytëzonte, ku janë kryer kontrolle. Ka pasur, krahas kontrollit të banesës, edhe vendim për kontrollin personal të biznesmenit, ku janë sekuestruar dokumente. Është parë e nevojshme të thirret edhe një përkthyes gjatë veprimit procedural dhe hetimor për gjetjen e provës”, deklaroi Ferhati.

U sekuestrua një armë zjarri, rezultonte me leje

Një tjetër detaj i bërë publik nga gazetari lidhet me gjetjen dhe sekuestrimin e një arme zjarri në banesën e biznesmenit. Sipas informacioneve të përcjella nga Ferhati, arma rezultonte e pajisur me leje.

“Po ashtu është sekuestruar edhe një armë zjarri, por me leje, sipas informacioneve, e biznesmenit Rony Yeffet, i cili me sa duket është ndër personat për të cilët SPAK ka krijuar dyshime të arsyeshme”, u shpreh gazetari.

Kontrollet në KAYO, në fokus tenderët dhe kompanitë e industrisë së mbrojtjes

Veprimet e BKH-së nuk janë kufizuar vetëm në banesën e Yeffet. Sipas Ferhatit, kontrolle janë ushtruar edhe në ambientet e kompanisë shtetërore KAYO, ku fokusi ka qenë sekuestrimi i dokumentacionit që lidhet me procedurat e ndjekura për tenderët dhe marrëdhëniet me kompanitë që operojnë në sektorin e industrisë së mbrojtjes.

Në mënyrë të veçantë, hetuesit kanë kërkuar dokumente që lidhen me procedurat e tenderimit dhe kompanitë që kanë marrëdhënie biznesi me KAYO-n, mes tyre TIMAK, TIMAK Defense dhe subjekte të tjera të kësaj industrie.

Këto zhvillime vijnë pas pretendimeve të ish-zëvendëskryeministrit Arben Ahmetaj, i cili ka publikuar audiopërgjime dhe ka ngritur dyshime për trafik ndërkombëtar armësh, si dhe për mënyrën e funksionimit të procedurave të tenderimit në sektorin e mbrojtjes.

Në materialet e publikuara nga Ahmetaj, Rony Yeffet është një prej personave të përmendur në bisedat për kompani, tenderë dhe pajisje ushtarake. Ish-zëvendëskryeministri ka pretenduar gjithashtu se krijimi i strukturave të tipit KAYO mund të shërbente për të anashkaluar garat dhe procedurat e zakonshme të tenderimit.

Ndërkohë, në kuadër të raportimeve për kontrollet e fundit është përmendur edhe banesa e Ardi Veliut, drejtorit të KAYO-s, si dhe ajo e Arjeta Pucës, pronare e TIMAK.

Deri më tani, SPAK nuk ka publikuar një njoftim zyrtar mbi objektin e plotë të hetimit dhe dyshimet konkrete që po verifikohen. Sekuestrimi i dokumenteve dhe kontrollet e kryera janë veprime procedurale hetimore dhe nuk përbëjnë në vetvete konstatim të përgjegjësisë penale për personat apo kompanitë e përmendura.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.