E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Nëna e djalit me spektër autik nxjerr bllof Edi Ramën
Denoncime

Nëna e djalit me spektër autik nxjerr bllof Edi Ramën

“Nuk isha në protestë, le të vijë të ballafaqohet me mua”

Ngjarja e ndodhur para Parlamentit ka marrë një tjetër kthesë pas reagimit publik të File Bulkut, nënës së një djali me spektër autik, e cila ka dhënë versionin e saj mbi incidentin që u bë viral në rrjetet sociale.

Ajo dhe i biri u prekën nga uji me piper gjatë përplasjeve mes protestuesve dhe Policisë së Shtetit, ndërsa pamjet e momentit u shpërndanë me shpejtësi të madhe online. Paralelisht, në platformën GoFundMe janë mbledhur mbi 130 mijë euro si ndihmë për ta.

Në një prononcim për gazetarin Osman Stafa, File Bulku reagoi edhe ndaj deklaratës së kryeministrit Edi Rama, i cili gjatë mbledhjes së Grupit Parlamentar të PS-së u shpreh se nëna dhe djali me spektër autik ishin përdorur si mburojë gjatë sulmit ndaj Policisë së Shtetit.

“Pikërisht aty, në fund të hendekut, i futën sorrat dhe korbat dorën e solidaritetit të tyre hipokrit për ta marrë te Parlamenti dhe për ta akuzuar, duke e përdorur si mburojë teksa sulmonin me maska Policinë e Shtetit. Dhe pastaj e vunë edhe përpara kamerës, e përdhunuan dhe e nxorën në mexhelis për të qarë hallin”, u shpreh kryeministri.

Megjithatë, nëna e djalit me spektër autik mohon kategorikisht përfshirjen në protestë. Ajo sqaron se në momentin e incidentit ndodhej rastësisht në zonë, pasi po kthehej nga terapia e të birit.

Bulku: “Unë nuk isha fare në protestë. Çova çunin në terapi dhe rrugët ishin të bllokuara. Duke u kthyer nga Parlamenti, më hodhën piper në sy.”

Stafa: “Pra, ti ke qenë rastësisht aty?”

Bulku: “Po, isha rastësisht.”

Stafa: “Po kryeministri thotë se të kanë sjellë të tjerë?”

Bulku: “Jo, jo. Le të vijë të përballet me mua kryeministri. Le të përballen me mua edhe policët.”

Duke përshkruar momentin e ngjarjes, ajo shton se situata kishte ndryshuar brenda pak minutash, nga rrugë të hapura në përplasje dhe përdorim të gazit lotsjellës.

Bulku: “Te Parlamenti rrugët ishin të bllokuara. Kur ika ishin të hapura, por kur u ktheva më hodhën piper në sy. A i hidhet një djali piper në sy? Jo, kryeministër, po i hyn në gjynah djalit. Të ballafaqohet me mua Edi Rama.”

Në përfundim, ajo i bën thirrje kryeministrit për një përballje të drejtpërdrejtë, duke këmbëngulur se prania e saj në vendngjarje ka qenë krejtësisht rastësore dhe jo e lidhur me protestën.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.