E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
‘Neomalësorja’ godet Ramën: BE të mos dëgjojë vetëm Ramën!
Lajme

‘Neomalësorja’ godet Ramën: BE të mos dëgjojë vetëm Ramën!

“Besojmë në vlerat evropiane, por nuk e mbështesim qeverinë”

Deputetja e pavarur Marjana Koçeku ka kritikuar mënyrën se si, sipas saj, Bashkimi Evropian e percepton realitetin politik në Shqipëri, duke i bërë thirrje Brukselit të mos e konsiderojë kryeministrin Edi Rama si zërin e vetëm që përfaqëson vendin në procesin e integrimit europian.

Në një intervistë për Euractiv, Koçeku deklaron se Bashkimi Evropian duhet të ndërtojë një komunikim më të drejtpërdrejtë me qytetarët shqiptarë dhe të mos mbështetet vetëm te raportet me qeverinë.

Deputetja, e cila u largua muajin e kaluar nga Partia Socialiste, shpjegon se vendimi i saj erdhi pasi nuk mund të qëndronte më në një forcë politike që, sipas saj, po ndjek politika të dëmshme për mjedisin.

“Nuk mund t’i përkisja më një grupi që jo vetëm nuk mbron mjedisin, por harton politika që e dëmtojnë atë. Kam mbështetur edhe nismat e kolegëve të opozitës, sepse e konsideroj këtë si të drejtën time qytetare”, është shprehur Koçeku.

euroactuiv

Protestat dhe “Revolucioni i Flamingove”

Duke komentuar protestat që prej më shumë se një muaji zhvillohen kundër projekteve turistike pranë zonës së mbrojtur Vjosa-Nartë, deputetja tha se ato pasqyrojnë një pakënaqësi të thellë qytetare dhe krizën e besimit ndaj institucioneve politike.

Lëvizja protestuese, e njohur si “Revolucioni i Flamingove”, kundërshton projektet turistike të planifikuara në zonë, përfshirë edhe investime që janë lidhur publikisht me Jared Kushner, dhëndrin e presidentit amerikan Donald Trump.

Sipas Koçekut, qytetarët nuk ndihen më të përfaqësuar nga politika tradicionale.

“Nuk ka më legjitimitet, as për qeverinë dhe as për opozitën tradicionale. Të dyja kanë treguar se punojnë vetëm për interesat e një grupi të vogël”, deklaroi ajo.

Kritika ndaj qëndrimit të qeverisë

Deputetja reagoi edhe ndaj deklaratave të kryeministrit Edi Rama, i cili i ka cilësuar protestat si një “histeri digjitale” dhe një “revolucion imagjinar”.

Sipas saj, qeveria po përpiqet të krijojë perceptimin se protestat cenojnë procesin e integrimit evropian.

“Ai po përdor median për të krijuar bindjen se protestat dëmtojnë integrimin europian dhe besimin e Bashkimit Evropian. Politikanët tanë e kanë humbur kontaktin me realitetin”, u shpreh Koçeku.

Mesazh për Bashkimin Evropian

Në intervistën e saj, deputetja i bëri thirrje institucioneve europiane të forcojnë kontaktin me qytetarët shqiptarë dhe të mos e kufizojnë dialogun vetëm me qeverinë.

Sipas saj, procesi i integrimit nuk duhet të mbetet vetëm një procedurë institucionale, por duhet të reflektojë edhe përvojën e përditshme të qytetarëve.

“Integrimi evropian nuk duhet të jetë vetëm një proces burokratik. Bashkimi Evropian duhet të krijojë lidhje të drejtpërdrejta me njerëzit, sepse ata janë më të aftët të tregojnë nëse reformat po japin rezultate”, deklaroi ajo.

Në fund të intervistës, Koçeku vlerësoi rolin e brezit të ri në politikë, duke theksuar se ai ka një kulturë më të afërt me standardet europiane sesa elita aktuale politike.

“Brezi i ri është shumë më evropian dhe më i kulturuar politikisht sesa elita aktuale. Kjo është Shqipëria që unë dua të shohë Brukseli. Ne besojmë te vlerat evropiane, por kjo nuk do të thotë se mbështesim qeverinë aktuale”, përfundoi deputetja.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.