“Neomalësorja” me mesazh “thumbues” nga Brukseli për Ramën
Koçeku: Mjedisi dhe integrimi ecin bashkë
Deputetja Marjana Koçeku, e cila së fundmi shpalli “divorcin politik” me Partinë Socialiste, ka përcjellë një mesazh nga Parlamenti Europian për kryeministrin Edi Rama, duke vënë në qendër të vëmendjes procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Koçeku bëri të ditur se ka zhvilluar një takim me eurodeputetin Thomas Waitz, ku në fokus të diskutimeve kanë qenë situata politike në vend, sfidat mjedisore dhe rruga e Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE.
Ajo theksoi veçanërisht rëndësinë e Kapitullit 27 të negociatave, i cili lidhet drejtpërdrejt me mjedisin dhe standardet që vendi duhet të përmbushë në këtë fushë.
“Me eurodeputetin z. Thomas Waitz, nji ndër figurat ma të spikatuna të Parlamentit Evropian në mbrojtje të mjedisit dhe biodiversitetit.
Si ish-anëtar i Delegacionit për Komitetin Parlamentar të Stabilizim-Asociimit BE–Shqipëri, z. Waitz e njeh mirë realitetin shqiptar dhe sfidat me të cilat përballet vendi ynë.
Ai ka qenë ndër eurodeputetët e parë që ka mbështetë kauzat mjedisore shqiptare dhe u ka dhanë zâ ndërkombëtar atyne. Kontributi i tij për vendin tonë vazhdon me mbetë tejet i randësishëm.
Gjatë takimit diskutuem për situatën politike në Shqipni, sfidat mjedisore dhe procesin e integrimit evropian, sidomos për Kapitullin 27 të negociatave që lidhet drejtpërdrejt me mjedisin.
I shpreha mirënjohje për vëmendjen dhe mbështetjen e vazhdueshme, si dhe për gadishmërinë me e përforcu pozitën e Shqipnisë krahas vendeve të Bashkimit Europian,” shkruan Marjana Koçeku.
Në reagimin e saj, Koçeku nënvizon se çështjet mjedisore do të jenë një ndër shtyllat kryesore të negociatave me Bashkimin Evropian. Ajo lë të kuptohet se progresi në këtë drejtim do të monitorohet nga afër nga institucionet evropiane, duke e bërë mjedisin një faktor kyç në rrugën e Shqipërisë drejt anëtarësimit.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



