“Neomalësorja” shpërthen pas largimit nga PS: Nuk dorëzoj mandatin
Deputetja Marjana Koçeku, e cila pak javë më parë u shkëput nga Partia Socialiste dhe vijon mandatin si e pavarur, ka denoncuar publikisht një valë sulmesh të organizuara ndaj saj në rrjetet sociale. Sipas saj, prej ditësh është vënë në shënjestër të një fushate të koordinuar me profile të rreme që synojnë ta detyrojnë të heqë dorë nga mandati.
Në reagimin e saj, Koçeku thekson se përballet me atë që e cilëson si “ushtri virtuale”, e përbërë nga profile false dhe persona të organizuar, të cilët, sipas saj, veprojnë nën drejtimin e funksionarëve shtetërorë.
“Prej disa ditësh po përballem në rrjetet sociale me një ushtri virtuale patronazhistësh dhe profilesh të rreme që më kërkojnë të lë mandatin. Të heqësh dorë nga mandati është e lehtë, por unë nuk jam mësuar t’i hap rrugë së keqes, që tashmë ka marrë edhe formën e këtyre mercenarëve virtualë, të organizuar për të përbaltur dhe denigruar këdo që zgjedh të jetë i pavarur”, shprehet ajo.
Deputetja pretendon se fenomeni është i përhapur gjerësisht, duke përmendur edhe shifra të larta të profileve të dyshuara si të rreme, ndërsa shton se institucionet vendore janë kthyer në struktura që ushtrojnë presion të vazhdueshëm përmes komunikimit online.
Sipas saj, gjuha e përdorur në rrjetet sociale ka degraduar ndjeshëm dhe po përdoret si mjet për të sulmuar kritikët e qeverisë, veçanërisht në periudha tensionesh politike dhe protestash.
Koçeku thekson se ishte e vetëdijshme për koston e qëndrimeve të saj publike, por shton se heshtja do të kishte pasoja më të rënda për demokracinë dhe përfaqësimin qytetar.
“E kam ditur që të flasësh lirshëm ka një çmim, por të heshtësh do të ishte shumë më e kushtueshme në një republikë që nuk duhet të ndërtohet mbi frikë, presion dhe identitete të rreme”, përfundon ajo.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



